Futbolli si urë lidhëse për të ruajtur identitetin kombëtar

Intervistë me përfaqësuesin e Federatës e Futbollit të Kosovës, në SHBA, arkitektin, ligjëruesin universitar dhe veprimtarin e njohur të komunitetit tonë, Mars Podvorica

Federata e Futbollit e Kosovës në data 28-29 nëntor do të organizojë kamp seleksionues me grupmoshat e reja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Drejt Atlantikut kanë udhëtuar trajnerët e kombëtareve të grupmoshave, që do të identifikojnë dhe zbulojnë e talentet shqiptare në SHBA – të cilët një ditë mund të përfaqësojnë kombëtaren e Kosovës.

Familjet shqiptare kudo që ndodhen në SHBA mund të kontaktojnë përfaqësuesin e FFK-së, Mars Podvorica për të sjellë të rinjtë në kampin dyditor të futbollit.

Duket se gjithshka ka nisur nga një regjistër të dhënash të futbollistëve shqiptarë në SHBA i krijuar nga një prej djemve të tij, Leka Podvorica prej nga u vijua pastaj me një angazhim të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Për të mësuar më shumë për këtë kamp seleksionues, gazeta “Illyria” zhvilloi bisedën e mëposhtme me zotin Podvorica.

Përshëndetje, është një kënaqësi që të bisedojmë përsëri me ju. A mund të na tregoni sesi lindi ideja për të organizuar këtë kamp të talenteve të reja shqiptaro-amerikane për sportin e futbollit?

Sporti i futbollit është rritur ndjeshëm në vitet e fundit në SHBA me shumë talentë amerikanë që shkojnë në Europë për të vazhduar karrierën e tyre futbollistike. Komuniteti ynë shqiptaro-amerikan gjithmonë ka qenë i angazhuar në sport dhe tani kemi një numër te madh talentësh të rinj që luajnë në nivelet më te larta të futbollit në Amerikë. Prandaj, menduam që është koha të shpalosim këta talentë para ekspertëve te Federates së Futbollit të Kosovës permes ketij Kampi seleksionues.

Disa lojtarë futbolli nga Kosova por edhe nga trojet e tjera janë kthyer në figura kombëtare shumë të dashura për shqiptarët. Kujtoj Lorik Canën në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit, apo pastaj Xherdan Shaqirin, vëllezërit Xhaka, apo të mëdhenjtë e sotëm të Kosovës Murriqi, Rashica etj. Sa mendoni se do të ndikojë shembulli i këtyre emrave për të nxitur pjesëmarrjen e të rinjve shqiptaro-amerikanë në këtë kamp?

Ëndërra e çdo femiu që merret me sport është të bëhet profesionist dhe të luaj në stadiumet më të famshme botërore. Të qenit pjesë e një kombetareje është gjithëmonë një ekspozim i rëndesishëm për karrierën e secilit. Emrat si Cana, Muriqi, Rashica e Shaqiri janë një inspirim i pashterrshëm për të rinjtë. Kjo dëshmohet edhe nga fanelat me emrat e tyre që fëmijët i bartin gjithmonë.

Çfarë do të ofrojë kampi për pjesëmarrësit? Çfarë mund të presin prindërit dhe të rinjtë nga ai?

Kampi i FFK-së do të ofrojë një mundësi të rrallë që secili talent pjesëmarrës të ketë mundesinë të deshmojë aftësitë para specialistëve të FFK-së.

Trajnerët e grupmoshave U15, U17 dhe U19, së bashku me Koordinatorin e Moshave si dhe Drejtorin e Kombëtares së Kosovës do ti analizojnë të gjithë dhe më te suksesshmit mund të përzgjidhen për ftesa të tjera.

Komuniteti ka pasur gjithmonë talente sportive disa kanë mundur të ecin në fushën e sportit e disa jo? Çfarë mundësish vijnë për ata që përzgjidhen në data 28-29 nëntor?

Pjesëmarrësit me të suksesshëm të këtij Kampi mund të përzgjidhen nga trajnerët për ftesa të tjera Kampesh por edhe lojërash të Kombëtares. FFK-ja vecse ka pjesëmarrës aktiv nga komuniteti ynë shqiptaro-amerikan  – djem dhe vajza – që marrin pjesë në kualifikuese të Kombëtares. Shpresa është që te gjejmë edhe të tjerë qe t’i bashkohen Kombëtares.

Ju kemi kemi prezantuar me lexuesit tanë në të kaluarën si arkitekt e veprimtar të njohur të komunitetit shqiptar në Manhattan si dhe ligjërues në Universitetin e Qytetit të New York-ut. A ju solli në këtë angazhim të ri dashuria për futbollin apo thjesht është kontributi juaj i radhës për kombin? Sa do të jeni i angazhuar në këtë fushë të re?

Unë ende vazhdoj veprimtarinë time në profesionin e arkitektit, si dhe të ligjeruesit në Universitet, por edhe futbolli është bërë pjesë e rëndesishme e aktiviteteve te mia. Pasiqe djemtë e mij filluan të merren me futboll, ne e gjetëm pikërisht futbollin si urë lidhëse edhe për të ruajtur identitetin Kombëtar. Ne u dhame atyre mundesinë të shohin të dy Kombëtaret tona nëpër ndeshje të shumta, si dhe të takohen dhe shoqërohen me yjet tona si Muriqi, Shaqiri, Rashica, Sadiku, Bardhi e të tjerë. Sot ata natyrshëm kanë një lidhje te fortë me Kosovën dhe Shqiperinë si dhe një ndjenjë krenarie e të qenit pjesë e të dy Kombeve – Shqiptar dhe Amerikan.

Për më tepër, ishte pikërisht djali im Leka që me vetëiniciativë kishte krijuar një databazë të gjëre me talentët shqiprato-amerikan që luajnë futboll në SHBA. Ishte kjo databazë që filloi gjithçka për këtë Kamp, por edhe e bëri punën tonë shumë më të lehtë në identifikimin e talentëve.

Cili është mesazhi juaj për prindërit dhe të rinjtë e interesuar për këtë kamp dhe për angazhimin në futbollin dhe sporte në rang kombëtar në atdheun e të parëve?

Janë pikërisht këto Kampe ku të rinjtë mund te shpalosin talentin e tyre para përzgjedhësve të Kombëtares si dhe të përzgjedhen për të përfaqësuar Kombin. Është e panevojshme të thuhet, por nuk mund të këtë ndjenjë më të lartë krenarie për çdo sportist sesa te përfaqësojë Kombin në arenën ndërkombëtare.

SHËNIM

Seleksionimin e talentëve të rinjë do ta bëjnë trajnerët aktual të kombëtareve Adil Maliqi përzgjedhës i U19, Arbnor Morina U17, Ilir Nallbani U15.

Kampi do të jetë i hapur më 28 nëntor, në Orangeburg të New York-ut dhe pjesë e tij do të jenë futbollistët e lindur në vitin 2005, 2006 dhe 2007, ndërsa me 29 nëntor, në po të njëjtin vend, në ditën e dytë të kampit do të jenë të mirëpritur gjeneratat 2008 dhe 2009.

Të gjithë të interesuarit për pjesëmarrje në kampin seleksionues i cili do të mbahet në SHBA, duhet të dërgojnë një kërkesë tek përfaqësuesi i FFK-së për Amerikë, Mars Podvorica.

Kontakti:

Email: [email protected]

Numri i telefonit: +1-917-392-6026