Një natë krenarie dhe uniteti: një urë midis trashëgimisë dhe diplomacisë
Nga Beqir SINA – New York
Nju Jork, 24 shtator 2025 – Mbrëmja e 24 shtatorit 2025 do të mbetet në kujtesën e komunitetit shqiptaro-amerikan si një moment kulmor i unitetit, krenarisë dhe angazhimit për të ardhmen. Në sallën e Gotham Hall në Nju Jork, Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC), organizoi Galën e saj Vjetore 2025, një event që nuk ishte thjesht një festë, por një thirrje e fuqishme për të ngritur zërin, forcuar komunitetin dhe nderuar trashëgiminë shqiptare. Kjo mbrëmje, e mbushur me kokteje, performanca kulturore dhe fjalime frymëzuese, lidhi Tiranën, Prishtinën dhe Uashingtonin në një urë të pathyeshme diplomacie dhe bashkimi.
Gala e AARC 2025 shërbeu si homazh për arritjet e jashtëzakonshme të komunitetit shqiptar në fushat e diplomacisë, biznesit dhe kulturës. Eventi tërhoqi një numër të shquar personalitetesh nga Ballkani dhe SHBA-ja, duke krijuar një platformë unike për dialog dhe bashkëpunim. Midis të pranishmëve ishin Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, të cilët u bashkuan me liderë amerikanë si Mayori i Nju Jorkut, Eric Adams; Kryetari i Republikanëve në Nju Jork, Ed Cox; diplomati Christopher Hyland; dhe kongresisti republikan nga Teksasi, Keith Self – një mbështetës i zëshëm i pavarësisë së Kosovës.
Kjo mbrëmje nën dritat e prozhektorëve të kuq të Gotham Hall nuk ishte vetëm një festë, por një mesazh i qartë kundër “vetëkënaqësisë” dhe “uljes së dinamikës” së aktiviteteve të komunitetit shqiptar, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.. Siç e. theksoi Av. Martin Vulaj, President i AARC, në fjalimin e tij kryesor: “Ne e kemi parë koston e vetëkënaqësisë”. Duke rikujtuar vitet pas fitores së pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj nga SHBA-ja në 2008, Vulaj vuri theksin në nevojën për një zë të përhershëm lobimi në Nju Jork, dhe Uashington, për të mbrojtur trashëgiminë dhe interesat shqiptare nga përpjekjet për të shtrembëruar historinë.
Mbrëmja Gala”AARC 2025″ filloi me Këndimin e dy Himneve Kombëtare Amerikane dhe shqiptare kënduar nga Ilsi Ademi dhe Fiorela Miria. Këtë mbrëmjen e bekuan udhëheqësit fetar Dom Pjeter Popaj Famullitari i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, Imam Tahir Kukaj dhe Imam Edin Gjoni.
Në fillim të aktivitetit Vulaj kërkoj një minut heshtje në përkujtim të aktivistit Charlie Kirk në nder njeriut që doli kundër të majtës dhe zërit që frymëzoi miliona të rinj të së djathtës.
Përkujtimorja në nder të Charlie Kirk në Nju Jork përcolli mesazhin e fortë dhe të panegocueshëm të aktivistit të ndjerë amerikan ndaj: Lirisë-Besimit-Familjes-Atdheut.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani nga Nju Jorku ka kujtuar heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku, në dy vjetorin e vrasjes.
Afrim Bunjaku ra hero në Banjskë, duke mbrojtur lirinë dhe dinjitetin e Kosovës.
24 shtatori na kujton se liria kërkon sakrificë, por edhe se Kosova është e pathyeshme. Asnjë sulm terrorist e agresion nga Serbia nuk mund ta ndalë të vërtetën. Kosova shtet sovran, i lirë e i pandashëm do të mbetet realitet i pakthyeshëm e i përjetshëm.
Lavdi e përjetshme heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku! tha ajo.
Fjalimi kryesor i Martin Vulaj: Një thirrje për “rikthim dhe avokim”
Fjalimi kryesor i Avokatit Martin Vulaj, President i AARC, ishte pjesa kryesore e eventit me një narrativë e fuqishme që “udhëtoi” nëpër historinë e komunitetit shqiptaro-amerikan, ndër dekada. Vulaj rikujtoi momentin 23 vjet më parë, kur si Drejtor Ekzekutiv i NAAC nderonte Presidentin Bill Clinton, për udhëheqjen në ndalimin e genocidit serb në Kosovë. “Atëherë, çdo aktivitet kishte dinamikën e saj. Komuniteti ishte i bashkuar. Zërat tanë edhe pse ende të rinj kishin peshë në qendrat e pushtetit”, tha ai.
Vulaj theksoi rolin historik të organizatave prej një shekull më parë me Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra në krijimin e shtetit shqiptar një shekull më parë, dhe Albanian American Civic League në vitet ’90 për të sjellë çështjen e Kosovës në Kongres. Ai përmendi “pionierët” e kësaj veprimtarie si Jim Xhema, Harry Bajraktari, Rexh Xhakli, Ekrem Bardha, Dino Erbeli dhe Dino Asanaj, të cilët profesionalizuan avokimin duke krijuar National Albanian American Council me një zyrë të plotë në Uashington.
Megjithatë, Vulaj nuk u ndal vetëm te sukseset: “Me arritjet tona të fuqishme erdhi diçka e rrezikshme: vetëkënaqësia. Komforti çoi në heshtje”. Ai kritikoi mbylljen e institucioneve si NAAC, duke lënë një vakum që përfituan vetëm agjenda të huaja, si shpenzimet serbe për të portretizuar Kosovën si të pasigurt – pavarësisht anketës së Gallup që e rendit si vendin më të sigurt në Evropë. “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, krenaria dhe lavdia jonë kombëtare, konsideruar nga liderët amerikanë si luftëtarë lirie, tani fatëkeqësisht tërhiqet në gjyqe ambsurde ” ku viktima barazohet si kriminelët”, shtoi ai.
Por mesazhi ishte shpresëdhënës: “Sonte nuk është për atë që kemi humbur. Është për atë që mund të rindërtojmë së bashku”. Vulaj foli për krontributin e madh, falë veteranëve si Harry Bajraktari, Rich Lukaj, Nik Mehmeti, Bruno Ceka, Ismet Smaili dhe Sal Rusi. Ai shpjegoi se AARC u krijua për të mbushur vakumin me një zë të përhershëm, profesional dhe strategjik.
Duke theksuar fuqinë unike të diasporës shqiptare në Amerikë – një vend ku qytetari mund të hyjë në zyrën e një kongresisti – Vulaj solli shembullin e tre shqiptarëve të thjeshtë nga Teksasi (Gino Mulliqi, Doc Vranici dhe Gezim Rushiti), të cilët bindën Kongresistin Keith Self për interesat e përbashkëta kundër ndikimit rus, kinez dhe iranian në Ballkan. Kjo çoi në një projektligj kongresional që rikonfirmon pavarësinë e Kosovës, kërkon anëtarësimin në NATO dhe ekspozon lidhjet serbe me Moskën, Pekinin dhe Teheranin.
“Në këtë moment të rrezikshëm global, shqiptarët qëndrojnë qartë në Perëndim. Fatet tona nuk janë në dyshim. Vendi ynë është me botën e lirë”, deklaroi Vulaj, duke e quajtur avokimin një “teknologji” që komuniteti e njeh mirë. Ai mbylli me një thirrje për mbështetje: kohë, talente, burime dhe rrjete, duke nderuar bashkëshorten e tij Suzy dhe familjet që sakrifikojnë pas skenës. “Ne jemi një popull nga malet e Tropojës në fushat e Drenicës, nga Tirana në Bronx, nga Detroit në Dallas. Forca jonë është në unitetin tonë. Le ta rimarrim së bashku.”
Fjalime të tjera përshëndetëse:
Eventi u pasurua me fjalime nga figura të shquara. Presidenti Bajram Begaj dhe Presidentja Vjosa Osmani ndanë vizionin për bashkëpunim më të fortë; Kongresisti Keith Self theksoi mbështetjen republikane për Kosovën; Mayori Eric Adams foli për rolin e komunitetit shqiptar në Nju Jork; Ed Cox dhe Christopher Hyland diskutuan diplomacinë; ndërsa veprimtarja Eli Rusi, Dom Pjetër Popaj, Imamët Tahir Kukaj dhe Edin Gjoni, si dhe kryetari i Vatrës, Dr. Elmi Berisha, shtuan dimensione fetare dhe kulturore.
Mark Gjonaj, ish-anëtar i Këshillit të Qytetit të Nju Jorkut dhe i Asamblesë Shtetërore, përshëndeti si lider i dalluar i komunitetit.
Çmime Nderi: si njohje për kontributet e jashtëzakonshme:
Gala”AARC 2025″ nderoj individë që kanë mbrojtur dhe promovuar interesat shqiptare. Çmimi “Nanë Tereza” u dha Kongresistit Keith Self për përkushtimin ndaj çështjes shqiptare (dorëzuar nga Martin Vulaj) dhe Mayor Eric Adams-it (nga Tony Marke). Çmimi “Kallorësi i Skënderbeut” për shërbim të përhershëm iu dha Jim Xhemës nga Burim Rexhaj. “Jimmy Xhema ishte modeli ynë se si t’i bënim gjërat të ndodhnin”, tha Vulaj. Në emër të Xhim Xhemës, Dr. Elmi Berisha e quajti atë “Konicën e dytë të epokës moderne”, duke premtuar vazhdueshmëri në interesat kombëtare.
Këto çmime u shtuan me nderime për aktivistë, biznesmenë dhe lobistë që kanë forcuar lidhjet shqiptaro-amerikane.
Performanca kulturore: një festë e trashëgimisë
Mbrëmja u ndriçua nga performanca të artistëve shqiptarë: Mira Konci, Ilsi Ademi, Anila Aliu, Fiorela Miria, Igli Tuga, Faton Macula, Riad Ymeri dhe Marsela Çibukaj, e cila ktheu momentet muzikore në “thesare të përjetshme”. Këto paraqitje festuan trashëgiminë shqiptare, duke krijuar një atmosferë emocionale dhe festive.
Bordi dhe sponsorizimet: themel i suksesit
Gala u mbështet nga biznese shqiptare dhe bordi i AARC: Martin Vulaj (President), Eli Rusi (Kryetar), Burim Rexhaj (Sekretar), Tony Marke (Nënkryetar) dhe Sokol Anadolli (Thesar).Gala e AARC 2025 nuk ishte vetëm një festë, por një mundësi për të ndërtuar aleanca më të forta, për të festuar trashëgiminë dhe për të siguruar që zëri shqiptar të dëgjohet në vendimmarrje globale. Siç tha Vulaj, “Kjo është epoka jonë për të formësuar të ardhmen.” Me unitet dhe veprim, komuniteti shqiptar në SHBA vazhdon të jetë një forcë e pathyeshme në diplomaci dhe kulturë.
Video /slideshoe : Një natë krenarie dhe uniteti: një urë midis trashëgimisë dhe diplomacisë
Një natë krenarie dhe uniteti: një urë midis trashëgimisë dhe diplomacisë










