Prishtinë, 26 maj 2025 – Instituti GAP në Prishtinë publikoi raportin e ri “Ndikimi financiar i masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës”.
Raporti përmbledh pasojat financiare dhe zhvillimore të këtyre masave në Kosovë. Aty thuhet se Kosovës i është pezulluar mbështetja e projekteve të ndryshme zhvillimore me vlerë prej 613 milionë eurosh, 7.1 milionë prej të cilave i konsideron si të humbura tashmë.
“Masat e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës kanë rezultuar me pasoja të theksuara financiare dhe zhvillimore, duke i kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyera për një afat të pacaktuar. Brenda kësaj shume, për shkak të kalimit të afateve të lejuara për nisjen e procedurave për projekte të caktuara, 7.1 milionë euro janë humbur tërësisht”, thuhet në raport.
“Puna e organeve në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) ishte ndërprerë deri në maj të vitit 2025, fondet për Kosovën në kuadër të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA) janë pezulluar, dhe propozimet e Kosovës në Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF) nuk janë duke u shqyrtuar nga Bordi i WBIF. Për më tepër, Kosova nuk është përfshirë në ngjarje të nivelit të lartë, përveç atyre që lidhen me situatën në veri dhe integrimin rajonal të Ballkanit Perëndimor. Për heqjen e këtyre masave nevojitet një konsensus i plotë i vendeve anëtare të BE-së, ku deri më tani nuk është marr ndonjë vendim i tillë”, thuhet më tutje në raportin e GAP-it.
Sipas raportit, sektorët më të prekur nga masat janë: mjedisi (350.7 milionë €), energjia (114.4 milionë €), digjitalizimi (57 milionë €) dhe kultura (15 milionë €).
“Nga gjithsej mjetet e ndikuara nga masat, rreth 218 milionë euro janë projekte në kuadër të IPA (IPA II dhe IPA III) dhe rreth 395.5 milionë euro janë projekte në kuadër të WBIF. Realizimi i këtyre projekteve ishte parashikuar të financohej përmes granteve dhe kredive, me një kontribut prej rreth 421 milionë euro nga Bashkimi Evropian, afërsisht 162 milionë euro nga palët e treta sikurse institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe vetëfinancim në vlerën prej 31 milionë euro”, thuhet në raport.
GAP vlerëson se vonesa në fillimin e zbatimit të projekteve që do të mbështetesin financiarisht shkakton shtyrje ose humbje të mundësive për zhvillim ekonomik dhe për përmirësim të mirëqenies së qytetarëve, por ndikojnë negativisht edhe në procesin e integrimit evropian.
Instituti GAP është një Think Tank i themeluar në vitin 2007 në Kosovë.
(r.m.)