Trump del fitues, jep sinjal të fortë nga Iowa se në nëntor do të kemi një përsëritje të duelit Biden-Trump
Nga Ruben Avxhiu
Nuk kishte dyshim se Donald Trump do të fitonte betejën e parë të garës për kandidatin e Partisë Republikane për President në shtetin Iowa (Ajua). Ajo që pritej me kuriozitet të madh ishte diferenca që do të kishte ndaj dy rivalëve kryesorë të tij, Guvernatorit Ron Desantisd he Ambasadores Nikki Haley.
Ishte një nga netët më të ftohta në historinë e shtetit dhe vetëm votuesit më të përkushtuar guxuan të dalin e të marrin pjesë.
Në fund, fitorja i takoi ish-Presidentit Donald Trump me 51.01% të votave. Desantis doli i dyti me 21.23%, kurse Nikki Haley në vend të tretë me 19.12 %.
Vetëm 40 delegatë dalin nga këto kaukuse për në Konventën Kombëtare që cakton kandidatin, por vota e parë në Ioëa, ka rëndësi të madhe psikologjike për vazhdimin e garës.
(Trump mori 20 delegatë, Desantis 8, Haley 7 dhe Vivek Ramaswamy 3. Ky i fundit i dha fund fushatës mbrëmë duke bërë thirrje që të votohet për ish-Presidentit Donald Trump.)
Po jap më poshtë, pesë komente apo reflektime të shkurtra lidhur me rezultatet e zgjedhjeve të djeshme.
1) Trump mori çfarë deshi
Fituesi më i madh i votës së mbrëmshme ishte padyshim, ish-Presidenti. Jo thjesht se fitoi. Më së paku duhej të merrte më shumë se gjysmën e votuesve dhe ia doli mbanë.
Fitorja në një ditë aq të ftohtë, kur dalja në rrugë ishte me të vërtetë një rrezik, dëshmoi edhe për vendosmërinë dhe përkushtimin e mbështetësve të tij.
Trump, i cili është i përmbytur me beteja gjyqësore, në rang shtetëror e federal kishte nevojë të dëshpëruar për një dëshmi force. Një sinjal që pavarësisht nga të gjitha republikanët vazhdojnë të jenë pas tij.
Tetë vjet më parë, Trump pati në Iowa provën e tij të parë zgjedhore në politikë dhe humbi kur Senatori Ted Cruz doli i pari me 28%. Trump që mori vetëm 25% duke dalë i dytë, deklaroi menjëherë se zgjedhjet ishin vjedhur, duke nisur kështu një refren të jetës të njohur të tij politike. Kur humbet, zgjedhjet janë të manipuluara. Kur fiton janë në rregull.
Tetë vjet më vonë, ajuanët që e kishin parë fillimisht me dyshim dolën masivisht në mbështetje të tij.
Pas kaq muajsh spekullimesh se mbështetja për të në parti nuk ishte më si ka qenë, vota e mbrëmshme zbuloi se shumica e Partisë Republikane mund të jetë ende në krah të tij dhe që nëse nuk pengohet me mjete ligjore, Donald Trump do të jetë për herë të tretë radhazi kandidat në zgjedhjet presidenciale amerikane.
2) Desantis humbësi më i madh
Guvernatori nga Florida Ron Desantis synonte vendin e dytë dhe e arriti por duke pasur parasysh sesa shumë investoi në Iowa, se sa shumë kohë dhe energji, para dhe prestigj ka shpenzuar, ky rezultat është në fakt një dështim.
Për shembull, ai mori vetëm pak më shumë se 1% më tepër vota se Nikki Haley, ish-Guvernatore nga South Carolina dhe ish-Ambasadore në OKB, e cila është përqendruar në shtetin e radhës, New Hampshire, për të treguar forcën e saj si kandidate. Analistët kështu i kishin ndarë: Desantis e ka provën në Iowa, kurse Haley në New Hampshire.
Me pak fjalë, Haley pa u lodhur shumë doli pothuajse baraz me Desantisin.
Republikanët anti-Trump preferojnë që të ketë vetëm një rival kundër tij, në mënyrë që të bashkojnë forcat, por shumica e tyre nuk vendos dot mes dyshes Desantis-Haley. Guvernatori nga Florida është më i ngjashëm me Trumpin në shumë drejtime. I përket më shumë versionit të ri të konservatorëve. Haley është më shumë e stilit të vjetër Republikanëve Reaganianë.
Trump e ka sulmuar për gati një vit Desantisin, duke e thirrur me tallje “Desanctimonuous”, si të thuash kur hiqesh më i ndershëm se sa duhet. Nuk është traditë e politikës amerikane të tallesh me emrat dhe mbiemrat e rivalëve, por Trump vjen nga anët tona. Mirëpo, kohët e fundit, ka preferuar të sulmojë më shumë ish-ambasadoren e tij Nikki Haley, një tregues i ndryshimit të raporteve në garë.
Do të ketë presion tani mbi Desantisin që të dalë nga gara, por ai deklaroi edhe dje, për t’u dalë përpara këtyre zërave se nuk do të tërhiqet edhe nëse del në vend të tretë.
3) Kometa Haley
Iowa ishte shteti ku Haley nuk priste shumë. Në fakt, mori gati 1 në çdo 5 vota republikane.
Tani për të vijnë dy beteja vendimtare: New Hampshire, një shtet ku preferojnë zakonisht kandidatë më të moderuar dhe që vepron si anti-Iowa dhe South Carolina (Karolina e Jugut) ku ka shërbyer për disa vjet si Guvernatore dhe ka lidhje të vjetra.
Sa lart mund të fluturojë Haley? A është ajo thjesht një kometë kalimtare në qiellin e politikës amerikane apo është një figurë që do të ketë jetë të gjatë në të?
Ndryshe nga Trump dhe Desantis që duan ta ndërpresin mbështetjen për Ukrainën, Haley beson se SHBA i ka fuqitë e nevojshme që të zgjidhë problemet e brendshme pa hequr dorë nga detyrimet e saj në botë.
Vajzë emigrantësh indianë, ajo është një përgjigje e fortë edhe ndaj Demokratëve që përpiqen ta paraqesin Partinë Republikane si një masë raciste burrash të bardhë që urren emigrantët.
Megjithatë, Haley duket se ka krijuar kundërshtarë të fortë si majtas ashtu edhe djathtas, për arsye që nuk kanë lidhje drejtpërdrejt me qeverisjen por që janë tema të ndjeshme të kohës. Ka irrituar të majtët duke thënë se Lufta Civile amerikane ishte për të drejtat e shteteve dhe jo për skllavërinë dhe ka irrituar të djathtët duke mos thënë hapur se një burrë nuk mund të bëhet grua.
Të nervozuarit në këtë rast, nga të dy krahët, mbase nuk do të votonin ndonjëherë për të gjithësesi, por është tregues se sa lehtë mund të devijohet debati politik në SHBA nga temat më të rëndësishme si ekonomia, siguria kombëtare, shëndeti dhe arsimi.
4) Demokratët pushojnë dhe ndjekin kundërshtarët
Nuk është zakon për partitë amerikane që të nxjerrin kandidat kundër presidentit të tyre në fuqi. Mirëpo, Joe Biden është 81 vjeç dhe duket nganjëherë shumë konfuz në publik. Disa demokratë janë të pakënaqur me të se u duket që ia ka hapur rrugën të majtës radikale e identitare që të bëjë ligjin në institucionet amerikane.
Ndërkohë ky formacion i të majtës i duket Biden si tepër konservator e jashtë ritmit të kohës. Së fundi, po merret më shumë sesa pritej me një çështje ndërkombëtare, duke u rreshtuar kundër Izraelit për shkak të bilancit të lartë të viktimave në Gaza.
Pavarësisht nga pakënaqësitë, nuk ka ndonjë kandidat serioz në garë kundër Presidentit Biden. Rasti i parë do të jetë në New Hampshire, por vështirë se do të ketë ndonjë ndryshim. Ka një numër demokratësh, ndër të cilët guvernatori i California-s, Gavin Newsom, që ka dhënë sinjale se është gati të hyjë në garë, por vetëm si zëvendësues, pra nëse Biden tërhiqet nga gara. Një tjetër është Zv-Presidentja aktuale Kamala Harris. Strategjistët demokratë druhen se nëse hapet loja, shumë më tepër kandidatë do të dalin në skenë duke e përçarë partinë më afër se sa duhet zgjedhjeve të nëntorit. E mira, do të kishte qenë që gara të fillonte tani. Por për momentin nuk ka asgjë. Biden mbetet kandidat për katër vite të tjera dhe nëse Trump fiton në krahun tjetër, dy gjyshërit e politikës do të ndeshen përsëri si katër vite më parë.
5) Demokracia në provë
Demokracia amerikane nuk ka qenë ndonjëherë më shumë në provë që prej dekadash. Për herë të parë, dy kandidatët kryesorë për president do të qeverisin në moshën 80 plus vjeçare nëse fitojnë. Të dy dyshohen se kanë shkelur ligjin. Një prej tyre është i paditur, në bankën e të akuzuarve për krime nga më të ndryshmit. Tjetri ka djalin që akuzohet se ka bërë tregëti nëpër botë duke shitur ndikim në qeverinë amerikane nëpërmjet babait.
Që të dy mbështeten nga shumica e partive përkatëse, që nuk duan apo druhen t’u hapin rrugë kandidatëve më të rinj.
Kjo është hera e parë në historinë e Shteteve të Bashkuara që një ish-president po përndiqet penalisht. Po ashtu edhe hera e parë që një kandidat për president mund të ndalohet të konkurrojë për arsye legale.
Për republikanët kjo është një përdorim i drejtësisë për synime politike. Për demokratët kjo është provë se askush nuk është mbi ligjin.
Një gjë është e sigurtë, amerikanët që dolën me mijëra për të thënë fjalën e tyre, pavarësisht prej motit të tmerrshëm dëshmuan vendosmërinë e tyre për të marrë pjesë në demokraci. Në mbarë vendin njerëzit janë të etur për të thënë se kë duan e kë nuk duan që t’i qeverisë për katër vitet e ardhshme.
Pas zemrës rurale të Amerikës, tani cirku i politikës marshon drejt verilindjes së vendit. Në 15 janar, votohet në New Hampshire.