Gashi u bën thirrje liderëve politikë të ulen me Kurtin e të merren vesh

Prishtinë, 5 maj 2025 – Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, u ka bërë thirrje liderëve politikë, përfshirë kryetarit të partisë së tij, Lumir Abdixhiku, që të ulen me kryetarin e partisë më të madhe, Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe të merren vesh për zgjidfhjen e ngërçit të procesit të konstituimit të institucioneve të reja shtetërore. 

Gashi ka thënë se partitë politike dhe liderët e tyre duhet t’i kapërcejnë mospajtimet dhe mosmarrëveshjet midis tyre dhe të gjejnë zgjidhje, qoftë edhe për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ai ka thënë se është e papranueshme që kryeministri i ardhshëm i Kosovës, cilido që të jetë ai, do të ulet në tryezë më Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa refuzon të takohet me liderët politikë të Kosovës.

“Ajo çka z.Kurti ka prezantuar në pesë vjetët e fundit është problematike. Mënyra se si e kishte shkarkuar ministrin e LDK-së, mënyra se si është sjellë në pushtet gjatë katër vjetëve të fundit janë problematike. Por, unë mendoj se sërish ka mundësi. Duhet të tejkalohen këto. Kushdo që të jetë kryeministër nesër, do të ulet me Vuçiqin, e nuk pranon të ulet me Albin Kurtin apo me Lumir Abdixhikun apo me Memli Krasniqin e me Ramush Haradinajn. Është e papranueshme dhe e paarsyeshme. Duhet të ulen dhe të bisedojnë e të merren vesh, qoftë edhe për të shkuar në zgjedhje. Të gjitha partitë duhet ta mendojnë objektivisht dhe të jenë më konstruktivë”, ka deklaruar Gashi, të hënën, para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. 

Ai ka thënë se Kurti duhet të kërkojë falje “për gjuhën ofenduese dhe sjelljen degraduese dhe marrja e përgjegjësisë për pozicionin ku gjendet vendi, jo me këtë gjuhë”.

(r.m.)

Comment

*