“Ky nuk është thjesht një konflikt mes një institucioni dhe një kompanie, ky është një akt i rëndë që prek të drejtën e qytetarëve për t’u informuar dhe i dërgon një mesazh frikësues çdo gazetari”, u shpreh Isa Myzyraj, krryetar i Asosacionit të Gazetarëve të Shqipërisë.
“Këto janë ditë që duhet të na shqetësojnë të gjithëve, edhe për mënyrën sesi shteti ynë dhe qeveria jonë po veprojnë”, theksoi Myzyraj, citon Reporter.
“Sot ishte News 24, nesër mund të jetë radha e dikujt tjetër”, tha gazetarja Klodiana Lala.
Ajo tha se ky akt e cenon të drejtën e qytetarëve për t’u informuar në mënyrë të paanshme dhe në kohë reale.
“Ne kemi qenë të parët për lajmin e fundit, lajmin e vërtetë dhe lajmin e paanshëm, dhe jam e bindur që publiku do ta rikthejë sërish News 24”, u shpreh Lala.
Edhe deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit të Medias në Parlament, Ina Zhupa, u shpreh se ky akt cenon interesin publik të qytetarëve.
“Gjithmonë kam ardhur me kënaqësi në ambientet e News 24, sepse ka qenë një dritare e lirisë dhe e debatit të lirë”, tha Zhupa gjatë fjalës së saj.
“Sot është një ditë e trishtë dhe e censurës për median në Shqipëri, sepse sot jemi më pak të lirë dhe kemi një dritare më pak për t’u shprehur dhe për të folur”, tha ajo, duke shtuar se kjo media nuk ka më mundësi të transmetojë zërin e qytetarëve dhe të mbrojë interesin publik.
Zhupa u premtoi gazetarëve se, si kryetare e Komisionit të Medias, do të ndjekë të gjitha hapat e nevojshëm kundrejt kësaj shkeljeje.
Të shtunën, rreth orës 07:00 të mëngjesit, një duzinë policësh bllokuan mjediset e televizionit News 24, në ish-Uzinën e Autotraktorëve, në lagjen Shkozë të Tiranës, dhe kërkuan largimin e gazetarëve dhe zbrazjen e godinës. Pak minuta më vonë, sinjali i televizionit News 24 u bllokua.
(r.m.)