Gazetarja amerikane rrëfen për jetën si reportere në Korenë e Veriut

Uashington, 25 korrik 2023 – Koreja e Veriut është një prej vendeve më të mbyllura, sidomos për mediat e huaja. Por për Jean Lee, drejtuesja e parë e një redaksie amerikane lajmesh në Phenian, vitet e raportimit nga brenda vendit të izoluar, e kanë ndihmuar atë dhe audiencën e saj, ta kuptojnë më mirë këtë komb. Në një bisedë me korrespodentin e Zërit të Amerikës Liam Scott, ajo tregon për disa sfidat, që e kanë shoqëruar gjatë punës së saj.

Vetëm pak shtetas të vendeve perëndimore kanë patur mundësinë ta vizitojnë Korenë e Veriut, këtë vend të mbyllur, jo më, të punojnë atje.

Por, për korrespodenten Jean Lee, Pheniani u bë si një shtëpi e dytë, që kur drejtuesit e agjencisë së lajmeve Associated Press, i ngarkuan asaj një detyrë që dukej e pamundur, të ngrinte një redaksi lajmesh në një vend që e sheh Perëndimin si armik.

“Fillova të mendoj si mund ta bëj një gjë të tillë? Nuk marr dot as vizë si gazetare amerikane për të hyrë në Korenë e Veriut”, thotë gazetarja Jean Lee.

Redaksia u hap në vitin 2012. Në tre vitet që pasuan, Lee udhëtoi rregullisht për në Korenë e Veriut. Sa herë që shkonte, ajo qëndronte atje rreth një muaj.

Si drejtuesja e parë e një redaksie amerikane lajmesh në Phenian, Jean Lee thotë se për të ishte thelbësore të përshtatej dhe të bëhej pjesë e shoqërisë atje.

“Kështu mund të realizoja biseda të sinqerta dhe të kuptoja se si ata mendojnë realisht, çfarë duan në të vertetë, kush janë në të të vertetë këta njerëz, përtej mënyrës që ishin mësuar ta shfaqnin veten”, tregon gazetarja Jean Lee.

Nuk qe aspak e lehtë. Dimri ishte i ashpër. Kishte kufizime të energjisë elektrike. Ushqimi dhe uji shpesh ishin të kontaminuar. Dhe mbi të gjitha, Jean Lee, ishte nën vëzhgim.

“Gjendesh në qendër të një beteje psikologjike. Je objektiv i saj. Je në qendër të saj. Si amerikanë, ne nuk jemi trajnuar apo nuk kemi përvojë për ta kuptuar atë. Pjesë e kësaj është edhe propaganda, fakti që mbahesh nën vëzhgim”, thotë ajo.

Koreja e Veriut përdor shpesh provat me raketa për t’ia treguar fuqinë e saj komunitetit ndërkombëtar.

Rasti i ushtarit amerikan Travis King, i cili gjatë këtij muaji e kaloi kufirin dhe shkoi vullnetarisht në Korenë e Veriut, ka bërë që Pheniani të jetë në qendër të vëmendjes botërore.

Por, me kufizimet ndaj medias, informacioni që del nga Koreja e Veriut është vetëm ai që dëshirojnë të nxjerrin autoritetet atje.

“Nëse ai gjendet atje me vullnet të lirë dhe do vërtet të bashkëpunojë me koreano-veriorët, do ta bëjë. Kjo do të përdoret për propagadë, por më përpara ai do t’i nënshtrohet një hetimi të ashpër dhe një procesi të vështirë të marrjes në pyetje”, thotë Greg Scarlatoiu nga Komiteti për të Drejtat e Njeriut, Koreja e Veriut

Jean Lee po qëndron tani në Uashington, ku është bashkëdrejtuese e podkastit të rrjetit BBC “Lazarus Heist”, i cili kryen investigime mbi krimin kibernetik nga Koreja e Veriut.

Lajtmotivi që e çoi atë në Korenë e Veriut për të treguar historitë e njerëzve, të cilëve u jepet shumë rrallë mundësia të dëgjohen, është më i fortë se kurrë më parë.

(Zëri i Amerikës)