Tiranë, 18 shkurt 2026 – Teksa këshilli për rregulloren, mandatet dhe imunitetin pritet të mblidhet me datë 23 shkurt për të shqyrtuar kërkesën e SPAK-ut për leje për të arrestuar zv.kryeministren Belinda Balluku, prokurorët e posaçëm kanë avancuar në veprimet e tyre, pasi po kryejnë hetime mbi pasurinë e ministres dhe personave të bashkëlidhur me të.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi se burime pranë SPAK bënë me dije se është kërkuar pranë institucioneve të ndryshme, si Kadastra, ILDKPI apo banka të nivelit të dytë informacion lidhur me pasurinë e numrit dy të qeverisë, si edhe të personave të tretë, mbi të cilët janë ngritur dyshime.
Prokurorët nuk kanë nisur ende letërporosi jashtë vendit, por teksa po gjurmojnë çdo transfertë të mundshme bankare, në javët në vijim mund të lindë nevoja të kërkohet informacion edhe në vende të ndryshme të Bashkimit Europian.
Njehërazi po vlerësohen të gjitha të dhënat që janë siguruar përmes këqyrjes së celularëve të njerëzve të besuar të Belinda Ballukut apo biznesmenëve të ndryshëm, veprime që u kryen gjatë javëve të fundit të dhjetorit 2025 dhe janarit 2026.
Prokurorët e posaçëm po hetojnë njëherazi të gjitha kompanitë që kanë fituar tenderat që, sipas tyre, dyshohet t’i kenë paracaktuar Belinda Balluku dhe vartësit e saj.
Gjatë kontrolleve në këto kompania janë sekuestruar dokumente, libra të shitje-blerjeve si dhe pajisje kompjuterike, të cilat po vlerësohen nga prokurorët e posaçëm. Çdo provë e re që mnund të rëndojë pozitën e Belinda Ballukut do të paraqitet në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit.
Zv.kryeministrja, e cila është e pezulluar nga ushtrimi i funksioneve, akuzohet për paracaktim të tenderave të rrugëve në vlerë prej miliona eurosh.