Gazmend Canaj dërgohet për gjykim, akuzohet për blerje votash në zgjedhjet e vitit 2021

Tiranë, 11 janar 2024 – Prokuroria e Posaçme njoftoi të enjten se kishte dërguar për gjykim dosjen ndaj Gazmend Canaj, një person i arrestuar në vitin 2022 dhe i akuzuar ndër të tjera edhe për “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.

“Nga analiza një e nga një dhe në unitet të provave të administruara gjatë hetimit (përgjimet telefonike dhe deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale) provohet tej dyshimit të arsyeshëm të bazuar në prova se, i pandehuri Gazmend Canaj iu ka ofruar në mënyrë të drejtpërdrejtë personave të ndryshëm përfitime ekonomike që ata të votojnë në një mënyrë të caktuar”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Sipas akuzës Canaj kishte blerë vota në zgjedhjet e vitit 2021, ndërsa procedimi penal për të u regjistrua në vitin 2022. Sipas njoftimit të SPAK Canaj ka ofruar dhe dhënë ushqime 2 personave si dhe ju ka ofruar përfitime të paligjshme 3 personave, “kundrejt votës së tyre dhe të afërmve të tyre, në favor subjektit politik që Gazmendi mbështeste”.

Krimet zgjedhore dhe kryesisht blerja e votës janë një ndër shqetësimet kryesore për zgjedhjet në Shqipëri sipas monitoruesve ndërkombëtar, ato u përfshin si pjesë me vete e Kodit Penal, ku parashikohen dënime të ashpra për shkelësit.

Megjithatë siç BIRN ka gjetur më herët ndëshkimet për këto raste kanë qenë të lehta dhe rastet e gjykuara të pakta.

(Reporter.al)