Gërvalla: Borrell ka pasur qëndrim joparimor ndaj temave mes Kosovës dhe Serbisë

Prishtinë, 9 qershor 2024 – Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se Bashkimi Evropian (BE) duhet t’i heqë masat që ia kishte vendosur Kosovës për deeskalim të situatës në pjesën veriore të vendit. Ajo ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së, por nuk është shumë optimiste se Brukseli do ta bëjë këtë për shkak se përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, ka “qasje joparimore”.

“Qëndrimi i Borrellit ndaj temave mes Kosovës dhe Serbisë, në përgjithësi, ka qenë joparimor, prandaj nuk është se kam pritje të larta nga hapat e fundit që mund dhe duhet të ndërmerren. Ato masa kanë qenë objekt i një negocimi të zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, me emisarin (e BE-s) Miroslav Lajçak, në Bratislavë. […] Jo vetëm që janë përmbushur ato pesë pika, për të cilat janë marrë vesh ata, por janë përmbushur shumëfish më shumë”, ka thënë Gërvalla për “KosovaPress”

Borrell pritet të dorëzojë raportin lidhur me hapat që ka bërë Kosova në përmbushje të kushteve për shtensionim të situatës në pjesën veriore të Kosovës, javën e ardhshme. Nga ky raport varet nëse do të hiqen ose jo masat e BE-së ndaj Kosovës.

Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para një viti, si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës kur Kosova i dërgoi në ndërtesat e komunave kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët.

Autoritetet e Kosovës i kanë cilësuar të padrejta masat e vendosura nga BE-ja, duke qenë se është Serbia ajo që u ka bërë thirrje serbëve në veri që të bojkotojnë zgjedhjet locale në katër komunat veriore të Kosovës dhe kanë nxitur tensione përmes emisarëve dhe eksponentëve të politikës së Aleksandar Vuçiqit në Kosovë.

Mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it dhe shumë pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë plagosur në protestat e dhunshme të serbëve para ndërtesave të komunave në veri, në muajin maj. Pjesëtarët e KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës janë sulmuar me mjete të forta, me mjete piroteknike e mjete shpërthyese, si edhe me armë zjarri.

Më 24 shtator, një grup paramilitarësh serbë, i udhëhequr nga Milan Radojçiqi, nënkryetari i atëhershëm i Listës Serbe, partisë që kontrollohet nga Beogradi zyrtar, kishin kryer një sulm terrorist në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit.  Në këtë sulm është vrarë një pjesëtar i Policisë së Kosovës, e cila është kundërpërgjigjur, duke vrarë tre paramilitarë serbë.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur sasi të mëdha armësh dhe pajisjesh ushtarake, çfarë i posedon ushtria e Serbisë.

Udhëheqësi i grupit paramilitary serb, Milan Radojçiq, u thirr në intervistë nga organet serbe të drejtësisë, ku pranoi se ka qenë udhëheqës i grupit që e ka kryer sulmin në Basnjskë, por u la i lirë.

Autoritetet e Kosovës kërkojnë me ngulm ekstradimin e tij në Kosovës që të nxirret para drejtësisë, por autoritetet e Serbisë vazhdojnë ta mbrojnë. 

(r.m.)

Comment

*