Gërvalla: Me Presidenten kemi marrëdhënie të mira, por nuk pajtohemi gjithmonë 100 për qind

Prishtinë, 8 qershor 2024 – Fotografia e mësipërme nuk është e ditëve të sotme. Ka disa kohë që këto dy zonja, udhëheqëse të dy instiutucione me ndërvarësi nga njëra-tjetra në fushën e politikës së jashtme nuk janë parë bashkë, qoftë në ngjarje apo në manifestime të ndryshme zyrtare, por as në takime private, si dikur.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diaporës e Kosovë, Donika Gërvalla, ka thënë se ajo ka marrëdhënie të mira me Presidenten Vjosa Osmani, por ka konfirmuar se midis tyre ka edhe mospajtime për tema të caktuara.

“Ne, me Presidenten e Republikës, raportet gjithmonë i kemi pasur të mira dhe nuk kam asnjë arsye të mendoj që ka një ndryshim në raportet tona. Unë jam e mendimit që nuk kemi nevojë gjithnjë të pajtohemi 100 për qind për të gjitha temat. Natyrisht që si persona që bartim përgjegjësi të shumta, në sfera të ndryshme, nganjëherë për procese të ndryshme kemi edhe mendime të ndryshme”, ka thënë Gërvalla në një intervistë për Kosovapress.

Ajo ka theksuar se me gjithë dallimet, zyrtarët e lartë shtetërorë gjejnë “një rrugëdalje dhe një gjuhë të përbashkët”.

Kurti ka thënë se nuk beson që mes tij e udhëheqësve të institucioneve tjera të larta të shtetit, përfshirë presidenten Osmani, ekzistojnë dallime të patejkalueshme.

Ndërsa Presidentja Osmani ka thënë se dallimet midis tyre “janë te tejkalueshme kur interesi shtetëror dhe qytetar vendoset mbi të gjitha”.

Mosmarrëveshjet midis Kryeministrit Albin Kurti e ministres Gërvalla me Presidenten Osmani janë shpërfaqur në prag të mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës ku do të shqyrtohej propozimi i Asamblesë Parlamentare për pranimin e Kosovës në këtë organizatë. Presidentja Osmani ka thënë se Kurti dhe Gërvalla nuk e kishin konsultuar atë, si president, mbi hapat e premtuar për formimin e Asoiciacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ajo i ka cilësuar hapat e propozuar si të dëmshëm për procesin e zbatimit të marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, për shkak se pika që ka të bëjë me formimin e Asociacionit është nxjerrë jashtë marrëveshjes, gjë që e bën të pazbatueshme marrëveshjen si tërësi.

(r.m.)