Shtetet e Bashkuara të Amerikës, toka e bekuar që u bë strehë dhe atdheu i dytë për gati një million shqiptarë dhe pasardhësit e tyre – që me daljen në skenën ndërkombëtare ndryshoi përgjithmonë fatin e kombit tonë
Nga Ruben Avxhiu

Gjyshi im ishte 16-vjeçar, po aq sa shekulli i ri, kur së bashku me dy vëllezërit e tij më të mëdhenj mbërritën në New York, në 14 mars 1916. Ishte koha e Luftës së Parë Botërore dhe anija me të cilën udhëtuan u godit nga Flota Gjermane dhe u mbyt rreth një vit më vonë.
Ata ishin thjesht shqiptarët e radhës që mbërrinin nga Korça në Shtetet e Bashkuara, që kur 30 vjet më herët Kolë Kristofor nga fshati Katund ishte bërë emigranti parë shqiptar që mërgoi në Botën e Re.
Akoma më e vjetër, më shumë se gjysëm shekulli, ishte vala e emigrimit të arbëreshëve, të cilët, pas 400 vitesh në Italinë e Jugut, po shpërnguleshin edhe një herë tjetër, kësaj here për arsye ekonomike, jo më përtej detit, por përtej Oqeanit.
Më vonë vijuan dallgë të tjera emigrimi nga trojet shqiptare drejt Amerikës. Mëshumë se një milionë njerëz me origjinë shqiptare janë qytetarë të vendit më të jashtëzakonshëm të botës.
Sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë 250-vjetorin e pavarësisë. Ajo është edhe festa jonë. Madje në njëfarësoj është edhe festa e gjithë botës. Është festa jonë pikërisht sepse kjo tokë u bë atdheu i dytë për qindramijëra shqiptarë që udhëtuan drejt saj për në kërkim të lirisë ose të një jete më të mirë. Ikën për t’i shpëtuar shtypjes politike, pushtimit, ose varfërisë e mungesës së mundësive.
Shqiptarët kanë mërguar për shekuj me radhë, por askund nuk kanë gjetur një vatër më të ngrohtë, askund nuk u janë dhënë më shumë mundësi e nuk janë nderuar e mirëpritur më shumë se në Shtetet e Bashkuara.
Liria që gjetën këtu frymëzoi lirinë në trojet nga erdhën. Shqiptarët e fesë ortodokse nuk kishin ende të drejtë të luteshin në gjuhën shqipe në kishat e tyre në atdhe, por e themeluan kishën autoqefale në Amerikë dhe shembulli i saj u ndoq pastaj në atdhe. Shqiptarët ende nuk kishin një shtet të pavarur kur erdhën këtu, por nga Amerika e largët u kthyen me para, vullnetarë të armatosur, ide e projekte politike për shtetin e parë të pavarur të lindur në 28 Nëntor 1912. Shqiptarët vërtet vuajtën nën komunizëm por nga Amerika e largët embajtën flamurin pa yll dhe mbajtën gjallë besimin se demokracia do kthehej një ditë. Roli i shqiptaro-amerikanëve në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës dhe ndryshimin e gjendjes kudo ku jetojnë shqiptarë në trojet e tyre në atdhe është një nga kapitujt më të ndritur të historisë sonë kombëtare.
Amerika na dha strehë, na dha mundësi për begati ekonomike, na dha edhe një bazë për të përdorur suksesin dhe frymëzimin tonë për ta bërë jetën në atdheun e të parëve më të mirë.
Por dalja e Amerikës në skenën ndërkombëtare ishte gjithashtu një fat i madh për shqiptarët. Ishte Presidenti Woodrow Wilson që refuzoi planet europiane për ndarjen e Shqipërisë. Ishte Presidenti Bill Clinton që dha urdhër për ndërhyrjen ushtarake që solli çlirimin e Kosovës. Ishte Presidenti George W Bush që theu ngurrimin ndërkombëtar për të njohur pavarësinë e Kosovës dhe ndryshoi raportin e shqiptarëve me fqinjët në Ballkan.
Shembulli amerikan ka frymëzuar jo vetëm shqiptarët por mbarë botën. Në vitin 1776, të shpallje luftë ndaj superfuqisë botërore, Anglisë, ngjante si një çmenduri. Ishte hera e parë që një koloni ngrihej për sovranitetin e saj. Kjo formë shpallje pavarësie frymëzoi lëvizje të pavarësisë dhe antikolonializmit në mbarë botën. Nga Amerika Latine në Azinë e largët, në mbarë Evropën Lindore, Lindjen e Mesme e Afrikë, popujt kërkuan lirinë duke shpallur pavarësinë në forma të ngjashme. Më e fundit e radhës, ishte Kosova, me dokumentin saj të pavarëisë në shkurt 2008.
Plot çerek mijëvjeçari më parë, u themelua një shtet që ka ndryshuar si asnjë tjetër më parë botën si nga pikëpamja politike, ekonomike, teknologjike dhe kulturore. Asnjë sistem qeverisjeje nuk është hartuar me aq largpamësi e kujdes sa ai që skicuan të ashtuquajturët Baballarë të Kombit Amerikan. Nuk u bazuan në fantazi, por në përvojën e gjatë të historisë botërore, nga shembujt e Greqisë dhe Romës së Lashtë, nga veprat e mëdha filozofike, dhe nga përmirësimi i sistemit më demokratik dhe më i suksesshëm i kohës së tyre, ai anglez.
Ky nuk ka qenë asnjëherë një vend i përsosur, por çelësi i suksesit të projektit të Baballarëve të Amerikës nuk ishte në hartimin e një sistemi të përkryer, por i një sistemi që ka aftësinë të korrigjojë vazhdimisht veten.
Ky vend, i cili nga një koloni periferike u kthye në pak më shumë se një shekull në fuqinë më të madhe të botës, është vendi ku janë bërë të gjitha shpikjet më madhore të njerëzimit në dy shekujt e fundit.
Ishin me fat shqiptarët që u bënë pjesë e këtij udhëtimi të jashtëzakonshëm njerëzor. Ata nuk janë thjesht përfitues të këtij udhëtimi por edhe kontribues të nderuar e pjesëmarrës të vyer. Shqiptarët kanë veshur uniformën e Ushtrisë Amerikane në dy luftëra botërore e shumë konflikte të tjera në histori. Kanë dhënë jetën për këtë vend. Kanë ngritur e mbajtur ekonominë e shumë lagje e qytete të tij. Kanë dhënë figura në të gjitha fushat e jetës, si Nobelisti Ferid Murad, inxhinieri i Apollo 11 dhe të gjithë serive të tjera Apollo të fluturimeve kozmike, Wilson Kokalari, kozmonauti William Gregory, figura të televizionit si Regis Philbin, të humorit si John dhe James Belushi, e deri te figura fenomenale e inteligjencës artificiale Mira Murati. Këta janë vetëm disa prej mijëra talentesh e suksesesh që i bëjnë shqiptaro-amerikanët të ndihen pjesë krenare dhe legjitime e këtij kombi të madh.
Gëzuar ditëlindjen Amerikë! I marsh me të mirë të gjithë shqiptarët!