Ghislaine Maxwell refuzon të dëshmojë para Kongresit

Uashington, 11 shkurt 2026 – James Comer, kryetar i Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, ka deklaruar se bashkëpunëtorja e ngushtë e Jeffrey Epsteinit, Ghislaine Maxwell, ka refuzuar të dëshmojë para këtij komisioni. Pas seancës dëgjimore mbi çështjen e abuzimit seksual me të mitur, republikani Comer ka thënë se Maxwell e ka shfrytëzuar të drejtën që buron nga Neni i Pestë i Kushtetutës dhe nuk është përgjigjur në asnjërën nga pyetjet që i janë drejtuar asaj.

Neni i Pestë i Kushtetutës së SHBA-së, ndër të tjera, përcakton që askush nuk mund të detyrohet të dëshmojë kundër vetëvetes në një procedurë penale.

Mbledhja e komisionit është mbajtur me dyer të mbyllura. Sipas ligjvënësve, Maxwell është lidhur për pak kohë me video nga burgu, ku po e vuan dënimin me 20 vjet burgim. Në vitin 2022 ajo është shpallur fajtore dhe është dënuar për trafikim të të miturve për shfrytëzim seksual.

Comer ka thënë se Maxwell ka refuzuar të përgjigjet për secilën pyetje, gjë që ai e ka cilësuar si shumë zhgënjyese. Ai ka thënë se anëtarët e komitetit kishin për të bërë shumë pyetje rreth krimeve të kryera nga ajo dhe Epstein, si edhe për çdo bashkëfajtor të mundshëm.

Megjithatë, Maxwell ka pranuar të lehtësojë presidentin Donald Trump dhe çiftin Hillary e Bill Clinton lidhur me çështjen e abuzimit sistematik të të miturve nga Epstein, me kusht që Presidenti Trump ta amnistojë.

Sipas raportimeve, ajo është e gatshme të dëshmojë se as ish-presidenti Bill Clinton, as ish-sekretarja e Shtetit Hillary Clinton dhe as presidenti Trump nuk ishin fajtorë për ndonjë shkelje në marrëdhëniet e tyre me Epsteinin. Avokatët e Maxwell-it kishin kërkuar nga Kongresi që asaj t’i jepte imunitet ligjor për dëshminë e saj, por Kongresi e e ka refuzuar këtë kërkesë.

Në muajin tetor, Trump kishte deklaruar se po e konsideronte faljen e mundshme të Maxwell.

(r.m.)