Giorgia Meloni betohet si kryeministre e Italisë

Romë, 22 tetor 2022 – Në Itali u zhvillua sot ceremonia e betimit të Giorgia Melonit si kryeministre e vendit. Ajo është gruaja e parë që zgjidhet në këtë detyrë. Po kështu qeveria e zonjës Meloni është e para që udhëhiqet nga e djathta ekstreme në vend, që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Zonja Meloni dhe 24 anëtarët e kabinetit të saj qeverisës, u betuan të shtunën përpara presidentit italian në pallatin presidencial. Partia Vëllezërit e Italisë që ajo bashkëthemeloi 10 vjet më parë ka rrënjë neofashiste. Ajo rezultoi forca politike më e votuar në zgjedhjet e përgjithshme që u mbajtën muajin e kaluar.

Mes aleatëve në qeverisje janë partia Liga, një forcë politike e krahut të djathtë që udhëhiqet nga Matteo Salvini si dhe partia konservatore ‘Forza Italia’ kryesuar nga ish-kryeministri Silvio Berlusconi.

(Zëri i Amerikës)