Gjashtë kandidatë vazhdojnë garën për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese

Tiranë, 3 shtator 2025 – Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, KED ka konkluduar se 6 prej 13 kandidatëve për vendin e Holta Zaçajt në Gjykatën Kushtetuese, plotësojnë kriteret ligjore për të vijuar garën, ndërkohë që një prej tyre do të verifikohet të e enjten, më 4 shtator.

Gjashtë të kualifikuarit për të vijuar garën janë gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Asim Vokshi; ish-kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami dhe ish-anëtari i po këtij këshilli, Alban Toro; ish-Komisioneri Publik, Florjan Ballhysa dhe dy ish-anëtaret e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Genta Tafa Bungo dhe Alma Faskaj.

KED pritet që të verifikojë të enjten kandidaturën e e kryetarit të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba. Sipas një njoftimi të mëparshëm të KED, ishte vendosur që për verifikimin e Bibës të administrohej dosja e vetingut të bashkëshortes së tij, ish-këshilltares së Gjykatës së Lartë, Elona Kana. Kjo e fundit u përball fillimisht me vetingun si këshilltare në Gjykatën e Lartë. Pas seancës dëgjimore në tetor te vitit 2019, Kana paraqiti dorëheqjen në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe në Shkollën e Magjistraturës. Bazuar në këto rrethana, Komisioni vendosi të ndërpresë procesin e vetingut të saj, si dhe i ndaloi emërimin në pozicione në sistemin e drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare.

Pasi të përfundojë edhe verifikimi i kushteve ligjore të Bibës, KED do të kryejë pikëzimin e secilit prej kandidatëve të mbetur në garë, prej nga do të përzgjidhet fituesi.

Për vendin e Zaçajt shfaqën interes dhe ish-anëtari i KPK, Lulzim Hamitaj; ish-Komisionerja Publike Irena Nino; ish-anëtarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Nurihan(Seiti) Meta dhe juristët Klodian Rado, Rezana Balla dhe Sinan Tafaj. Këta gjashtë kandidatë janë skualifikuar nga gara prej KED.

Gjykata e Lartë bëri publike më 13 janar listën e kandidatëve që paraqitën interes për vakancën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese si rezultat i mbarimit të mandatit të kryetares së kësaj gjykate, Holta Zaçaj.

Në muajin dhjetor, kryetari i Gjykatë së Lartë, Sokol Sadushi bëri shpalljen publike për hapjen e procedurës së aplikimit për zgjedhjen me mandat të plotë nga Gjykata e Lartë të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, për vendin e Holta Zaçajt.

Mandati i Zaçajt u bë temë debati publik dhe shkaktoi polemika mes saj dhe kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Ky i fundit këmbënguli se mandati i Zaçajt përfundonte në pranverë të vitit 2025 dhe hapi procedurat për përzgjedhjen e pasardhësit të saj duke shpallur vendin vakant. Nga ana tjetër, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese pretendoi se mandati përfundonte në fund të vitit 2025 dhe e akuzoi Gjykatën e Lartë për cënimin e sigurisë juridike të mandateve të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Megjithëse Gjykata Kushtetuese e gjeti me shkelje njoftimin e kryer nga Gjykata e Lartë, e la në fuqi shpalljen e vakancës. Shumica e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese vendosën mbarimin e mandatit të Zaçajt më 10 mars 2025.

(Reporter)