Gjeloshaj: Joanikije të distancohet nga thirrjet për luftë në Kosovë

Podgoricë, 7 shtator 2021 – Kryetari i Komunës së Tuzit në Mal të Zi, Nik Gjeloshaj, i bëri thirrje kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije, që të distancohet nga thirrjet për luftë në Kosovë.

Gjeloshaj e cilësoi luftënxitëse këngën nacionaliste serbe me vargjet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, e cila u kënduar gjatë shugurimit të mitropolitit Joakinije, të dielën, në Cetinje të Malit të Zi.

“Këto vargje mund të shihen në kontekstin e thirrjes për luftë”, tha Gjeloshaj.

Ai tha se prokuroria duhet të hetojë rastin.

“Unë e shoh këtë si abuzim me fenë, sepse nuk është më politikë. Kosova është shtet i pavarur. Për mua është e pakuptueshme që dikush nga kisha të thërrasë ushtrinë; domethënë, të bëjë thirrje për luftë. Unë mendoj se ka elemente për hetimin e prokurorisë”, tha kryetari i Tuzit.

Kreu i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije, është shuguruar të dielën, më 5 shtator, në një atmosferë shumë të tensionuar. Të gjitha rrugët që shpien në Manastirin e Cetinjes, ku u bë shugurimi, ishin bllokuar nga malazezët që kundërshtojnë supremacinë e Kishës Ortodokse të Serbisë ndaj Kishës Ortodokse të Malit të Zi. Joakinije u transportua deri në manastir me helicopter të ushtrisë malazeze, për të shmangur bllokadat e rrugëve. Forca të mëdha të policisë u kujdesën për sigurinë në Cetinje. Ato përdorën gaz lotësjellës për shpërndarjen e protestuesve, të cilët e pane shugurimin e mitropolitit Joakinije si provokim ndaj pavarësisë së Malit të Zi.

Nga ana tjetër, në oborrin e Manastirit të Cetinës, ku u zhvillua ceremonia e shugurimit të Joakinijes, u kënduan kënë me përmbajtje nacionaliste. Në rrjetet sociale u publikua një video-regjistrim ku shihen priftërinj dhe besimtarë duke kënduar një këngë në tekstin e sëcilës është vargu “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.

Cetina është qendër kulturore e historike dhe simbol i identitetit shpirtëror dhe shtetëror të malazezëve. Por, në këtë qytet është edhe seli e kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.

(r.m.)