Prishtinë, 29 korrik 2025 – Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) bëri të ditur të martën pasdite se është gjetur trupi i pajetë i një 33-vjeçari të mbytur të dielën, më 27 korrik, në Liqenin e Ujmanit.
“Pas evakuimit, trupi i pajetë i viktimës i është dorëzuar Policisë së Kosovës dhe ekipit të forenzikës për procedurat e mëtejme”, njoftoi FSK përmes një postimi në Facebook.
I ndjeri, Rrahim Latifi nga komuna e Klinës, i cili jetonte në Suedi, kishte kërcyer në ujë nga një urë e lartë 20 metra dhe nuk kishte dalë më në sipërfaqe.
Ekipet e kërkim-shpëtimit të Policisë së Kosovë dhe Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit kërkuan dy ditë në ujërat e liqenit, por nuk arritën ta gjejnë trupin e pajetë të viktimës. Duke qenë se operacioni u vlerësua i komplikuar, prandaj u kërkua mbështetje shtesë nga FSK-ja.
FSK bëri të ditur se ekipi për kërkim në ujëra është përfshirë në operacionin e kërkimit me ftesë të Qendrës së Situatave Emergjente të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe me urdhër të komandantit të FSK-së, Gjenerallejtnant Bashkim Jashari. Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave.
“Pas ftesës së Qendrës së Situatave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe koordinimeve me partnerët për angazhimin e Ekipeve të FSK-së, Komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka urdhëruar ekipet e Kërkim Shpëtimit në Ujëra, për realizimin e operacionit humanitar në kërkim të personit të raportuar si i zhdukur. Me pranimin e urdhërit, ekipet e FSK kanë marrë të gjitha masat dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe qëndror janë angazhuar në operacion e kërkimit të personit të zhdukur”, thuhet në njoftim.
“Falë intesitetit të lartë të kërkimit dhe profesionalizmit të ekipeve tona në terren, pas disa orësh kërkimi në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, AME dhe KFOR, kanë arritur të gjejnë trupin e pajetë në zonën e liqenit të Ujmanit”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Më herët gjatë ditës, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, njoftoi se FSK-ja u angazhua në operacionin e kërkimit të 33 vjeçarit në mbështetje të autoriteteve civile.
“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile. Në këtë aspekt në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe bashkërendim me KFOR, ekipet e specializuara të FSK-së kanë filluar operacionin e kërkimit në Liqenin e Ujmanit me synimin që sa më shpejt të nxirret trupi i mërgimtarit dhe t’i lehtësohet dhimbja familjes”, shkroi Maqedonci në Facebook.
Genc Metaj, shef i Agjencisë së Emergjencave ka thënë se kërkesën për angazhimin e FSK-së në gjetjen e trupit të personit që është hedhur në Ujman e kanë bërë për shkak se me kapacitetet aktuale nuk kanë arritur ta gjejnë trupin e pajetë të viktimës.
Liqeni i Ujmanit gjendet në pjesën veriore të Kosovës, në territorin e komunës së Zubin Potokut, e cila është e banuar me shumicë serbe. Dislokimi i FSK-së në këtë pjesë të vendit bëhet vetëm me pëlqimin e KFOR-it, në bazë të një zotimin të Qeverisë së Kosovës ndaj NATO-s të vitit 2013.
KFOR-i konfirmoi të martën se komandanti i tij, gjeneralmajori Enrico Barduani, e autorizoi FSK-në të dislokojë ekipe të kërkim-shpëtimit në zonën e liqenit të Ujmanit. Në njoftim thuhet se autorizimi është dhënë për arsye humanitare.
“Operacioni zhvillohet në kushte specifike të vendosura nga KFOR-i, i cili gjithashtu do të sigurojë mbarëvajtjen e tij”, njoftoi KFOR-i.
“Angazhimi i FSK-së në këtë rast është në përputhje me mandatin e saj fillestar, që përfshin ndihmë për komunitetet lokale në raste katastrofash natyrore dhe operacione të kërkim-shpëtimit”, thuhej në njoftim.
Operacioni i kërkimit është ndjekur nga afër edhe nga personeli i Ambasadës së Suedisë në Kosovë, pasi i ndjeri jetonte e punonte në këtë vend skandinav.



(r.m.)