Gjenerali Bajram Begaj zgjidhet President i Shqipërisë

Tiranë, 4 qershor 2022 – Gjenerali Bajram Begaj u zgjodh President i Republikës së Shqipërisë.

Për gjeneralin Begaj votuan 78 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, 4 deputetë votuan kundër, dhe 1 deputet abstenoi.

Deputetët e Partisë Demokratike dhe disa deputetë të partive aleate me këtë parti e bojkotuan procesin e votimit.

 Gjenerali Begaj u propozua për president nga Partia Socialiste, e cila i ka 77 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Por, ai e mori edhe 1 votë nga kampi i opozitës.

Begaj ishte i vetmi kandidat për shef të shtetit.

Ky ishte raundi i katërt i procesit për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës. Tri raundet e para dështuan, për shkak se partitë parlamentare nuk propozuan asnjë kandidat. Opozita e akuzoi mazhorancën socialiste se nuk kishte vullnet për të zgjedhur president një kandidat konsensual, një figurë mbipartiake që do të përfaqësonte të gjitha palët. Por, mazhoranca socialiste e akuzoi opozitën se nuk arriti të propozojë një candida që  do ta votonin të gjitha grupimet politike në kuvend.

Bajram Begaj do ta marrë detyrën me 24 korrik.

Kush është Bajram Begaj?

Gjeneralmajor Bajram Begaj ka lindur më datë 20 Mars 1967, në Rrogozhinë.

Begaj, veç karrierës ushtarake ka dhe një karrierë të pasur në fushën e mjekësisë, ku dhe ka mbaruar studime universitare, për mjekësi të përgjithshme.

Përpara se të merrte detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, për një periudhë 3-vjeçare, ka shërbyer në detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

Gjatë karrierës së tij ushtarake, gjeneralmajor Bajram Begaj ka shërbyer në pozicione të ndryshme drejtuese në Forcat e Armatosura, si: zëvendësdrejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”; drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Ushtarak; drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, kryeinspektor dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të FA; shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe zëvendësdrejtor i Spitalit Universitar të Traumës, si dhe detyra të tjera në strukturat e Forcave të Armatosura.

Gjeneralmajor Begaj ka ndjekur kualifikime dhe specializime të ndryshme në fushën ushtarake dhe atë mjekësore, në institucionet arsimore brenda dhe jashtë vendit. Ai ka përfunduar Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, Shkollën e Thelluar Pasuniversitare të Mjekësisë dhe specializimin pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, pranë Fakultetit të Mjekësisë Tiranë.

Gjithashtu ka ndjekur kursin e menaxhimit spitalor dhe kursin e lidershipit mjekësor strategjik në SHBA, Kursin e Lartë Ndërkombëtar të Menaxhimit të Mbrojtjes,  pranë Institutit të Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në SHBA, Seminarin e Lartë Ekzekutiv pranë Qendrës Marshall, Gjermani, si dhe kurse e kualifikime të tjera ushtarake.

Gjeneralmajor Bajram Begaj, ka përfunduar “Doktoratën në Fushën e Mjekësisë”, pranë Fakultetit të Mjekësisë si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi. Njëkohësisht është vlerësuar me medalje të ndryshme për arritje gjatë karrierës se tij ushtarake.

55-vjeçari Bajram Begaj është i martuar dhe ka dy fëmijë.

(r.m.)