Gjenerali gjerman në gjyqin kundër Thaçit e të tjerëve: Kemi kapur persona me uniforma me flamuj gjermanë që vidhnin e plaçkitnin

Hagë, 21 maj 2024 – Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 63-të i Zyrës së Prokurorit të Specializua (ZPS), Dietrich Klaus-Jensch, në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pyetjet për dëshmitarin i ka filluar prokurorja Sarah Clanton, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurorja, u tha se Klaus-Jensch kishte drejtuar operacionin për të hyrë në ish-ndërtesën e MUP-it në Prizren për lirimin e të burgosurve dhe çarmatosjen e anëtarëve të UÇK-së.

“Dëshmitari 02540 u disklutua në Kosovë në qershor të ’99-ës si komandant i forcave gjermane që ishte pjesë e kontingjentit të KFOR-it. Dëshmitari me numër 02540 dhe njësiti i tij ishin të vendosur në Prizren dhe ndër detyrat e tyre ishte patrullimi dhe të trajtonin aspektet e sigurisë të cilat po i përjetonte popullata atje. Dëshmitari me numër 02540 ka qenë i pranishëm atje kur u bastisën ambientet që përdorte UÇK-ja. Në veçanti, më 18 qershor të 1999-ës ka qenë i pranishëm në ish-ndërtesën e MUP-it në Prizren, ku drejtoi një operacion për të hyrë në ndërtesë, për të liruar personat e ndaluar dhe për të çarmatosur anëtarët e UÇK-së që ishin të pranishëm, tha Clanton.

Klaus-Jensch tha se në kohën kur kishte shkuar që të kryente bastisjen në ish-godinën e MUP-it në të cilën ishin duke qëndruar anëtarët e UÇK-së, pa një person të vdekur dhe disa të tjerë të marrë peng e që këtë gjë e konsideronte si akt penal.

Ai tha se kishte bërë fotografi të anëtareve të UÇK-së me qëllim për t’i dokumentuar personat të cilët ishin përgjegjës për atë se çfarë ishte gjetur në godinë.

“Duke pasur parasysh faktin që kishim një person të vdekur dhe disa persona të marrë peng, unë e konsideroja situatën si akt penal dhe doja të dokumentoja personat që ishin përgjegjës përmes fotografisë”, tha dëshmitari.

Klaus-Jensch shtoi se një prej kolonelëve gjermanë i liroi anëtarët e UÇK-së.

Në disa imazhe të paraqitura para gjykatës, shiheshin shumë armë në tokë për të cilat dëshmitari tha se liderët e UÇK-së i kishin dorëzuar në mënyrë vullnetare pasi ia kishin kërkuar ushtarët e KFOR-it.

“Pasi i kishim marrë liderët e UÇK-së i kishim kërkuar që t’i dorëzonin në mënyrë vullnetare armët, këtë gjë këtë e bënë dhe sikur mund të shikoni të gjitha dorëzimet janë materiale të cilat ne i kemi gjetur përveç armëve që u dorzuan vullnetarisht siç e thash”, tha ai.

Në një fotografi shihej një person i mbështetur në një makinë dhe disa tek një pemë e që dëshmitari tha se ishin pjesëtarë të UÇK-së të cilët kanë qenë të pranishëm në godinë. Ndërsa, për një tjetër ai tha se iu prezantua si komandant i Zonës së Pashtrikut i cili, sipas tij, fliste edhe frëngjisht.

“E mbaj mend që ishte komandant i zonës së Pashtrikut dhe e mbaj mend që fliste frëngjisht. Kurse, ushtari në të djathë është një oficer i policisë ushtarake (i KFOR-it gjerman) të cilit nuk ia di emrin”, tha dëshmitari.

Dietrich Klaus-Jensch pohoi se ky komandanti ishte ai të cilin vetë dëshmitari e kishte marrë dhe e kishte dërguar brenda godinës së MUP-it për t’ia treguar trupin e vdekur të një personi i cili ishte gjetur nga ushtarët e KFOR-it.

Sipas prokurores Sarah Clanton, në deklaratën e mëhershme dëshmitari kishte thënë që pasi komandanti e kishte parë këtë person të vdekur, në prani të Klaus-Jensch ai kishte thënë se kjo është një katastrofë.

Dietrich Klaus Jensch tha se gjatë kohës që ishte me mision në kuadër të KFOR-it në Kosovë kanë kapur persona që kishin veshur uniforma me flamuj të Gjermanisë të cilët kryenin vjedhje.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit përmes avokates Nina Tavakoli, dëshmitari tha se këtyre personave u kanë thënë t’i hiqnin të paktën flamujt e Gjermanisë. Sipas tij, kishte persona që vinin nga Shqipëria për të kryer vjedhje.

“Të paktën me kujtohen dy incidente që kemi arrestuar persona që po vidhnin dhe grabisnin dhe mbajë mend që ata të kenë thënë që kishin ardhur nga Shqipëria…Shpeshherë ka ndodhur që ne t’i kemi kapur personat që kishin veshur uniforma gjermane me flamurin gjerman dhe iu kemi kërkuar atyre që të paktën të i hiqnin flamujt gjerman në mënyrë të tillë që ata të mos identifikoheshin më si anëtarë të ushtrisë”, tha dëshmitari.

Po ashtu ai pohoi se para tërheqjes së trupave serbe dhe pas kthimit të refugjatëve kosovarë në Kosovë kishte veprime hakmarrëse.

“Po kam parë dhe kam qenë dëshmitari i disa prej tyre edhe vetë”, tha ai.

Ai tha se kishte parë disa zjarrëvenie sa ishte në Kosovë e shumë prej tyre i kishte parë nëpërmjet televizionit pasi ishte kthyer në Gjermani.

Tutje, dëshmitari Klaus Jensch pohoi se veprimet e plaçkitjes janë kryer edhe nga ushtarët e ushtrisë jugosllave.

“Ka pasur veprime plaçkitje, me kujtohet një skenë ku përfshiheshin ushtarët e ushtrisë ish-jugosllave që po qëllonin me të shtëna në ajër dhe një komandant major gjerman i cili dinte pak gjuhën vendore dhe arriti që të qetësojë pak situatën. Pra, kishte një përballje në mes pjesës shqiptare të popullsisë dhe forcave jugosllave që po largoheshin”, tha ai.

Ndërsa, për rastin në godinën MUP-it në Prizren, dëshmitari tha se pasi dy prej të ndaluarve kishin deklaruar se i kishin parë dy persona që i kishin rrahur.

“Rreth orës 15:00 dy personave që jetojnë aktualisht në shkollën e Manastirin në Prizren i kanë pare përmes dritares dhe i kanë njohur Sami Rexhepin dhe komandantin e UÇK-së Nezir Kryeziu, për të cilët kanë thënë se i kanë rrahur në mënyrë të përsëritur dhe i kanë keqtrajtuar gjatë kohës që ishin mbajtur në ish-ndërtesën e MUP-it”, tha ai.

(Sipas Betimi për Drejtësi)