Prishtinë, 21 qershor 2023 – Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajori Angelo Michele Ristuccia, në një intervistë për agjencinë italiane të lajmeve AGI, ka folur për situatën e sigurisë në Kosovë dhe për zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit.
Gjenerali Ristuccia ka thënë se pjesëtarët e KFOR-it kanë vepruar në veri në mënyrë shumë profesionale. A ka thënë se më 29 maj ata kanë parandaluar një përshkallëzim të rrezikshëm të situatës dhe kanë shmangur t’i shpëtojnë nga “një masakër” 15 policë në bllokuar nga turma e protestuesve në Zveçan.
“Falë profesionalizmit të njerëzve tanë, të cilët u përgatitën në mënyrën më të përshtatshme dhe i zbatuan rregullat e angazhimit në mënyrën më korrekte, u shmang një masakër. Ne arritëm t’i shpëtojmë 15 policë të bllokuar nga turma”, është shprehur komandanti i KFOR-it.
“Ushtarët tanë vepruan në mënyrë shumë, shumë profesionale. Dëshiroj të shpreh mbështetjen time të plotë për të plagosurit tanë dhe familjet e tyre. Ata vepruan në mënyrë aq profesionale, sa që arritën të menaxhonin siituatën që të mos përshkallëzohej.kështu i shpëtuam 15 policë të Kosovës, penguam përplasjn midis dy palëve”, ka shtuar ai.
“Falë përgatitjes së ushtarëve tanë, ne kemi arritur që më 29 maj të parandalojmë që situata të përshkallëzohet më tej dhe të vajtojmë për të vdekurit në terren”, ka theksuar komandanti i KFOR-it.
Duke folur për situatën e sigurisë në Kosovë, gjenerali Ristuccia ka thënë se KFOR-i është i përgatitur për të përballuar të gjitha sfidat.
“Kjo është e sigurt. Fakti që NATO ka dërguar përforcime, trupa shtesë, dëshmon për angazhimin tonë të plotë dhe seriozitetin me të cilin NATO po e trajton situatën. Ne jemi këtu për të siguruar mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. Mund t’ju siguroj se ne jemi plotësisht të përkushtuar për këtë dhe se jemi plotësisht të pajisur, të organizuar dhe të trajnuar për të përballuar sfidat me të cilat po përballemi tani”, ka thënë Ristuccia.
(r.m.)