Gjenerali turk Ozkan Ulutash e mori detyrën e komandantit të KFOR-it

Prishtinë, 10 tetor 2012 – Gjeneral-majori turk Ozkan Ulutash e ka marrë të martën detyrën e komandantit të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Ulutash e mori detyrën nga komandanti i deritanishëm italian, gjeneral-major Angelo Michele Ristuccia, në një ceremoni të zhvilluar në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it në Prishtinë.

Gjeneralmajori Ulutash, me rastin e marrjes së detyrës, tha se e kupton që merr përsipër një detyrë të.

“Si komandanti i parë turk i KFOR-it e kuptoj përgjegjësinë që e kam marrë. Duke e parë gjendjen e ndjeshme në Kosovë, po e marr komandën me përkushtim për t’i bërë të gjitha përpjekjet dhe për ta përdorur gjithë përvojën për t’u siguruar se kjo njësi e shquar do të shërbejë suksesshëm në të ardhmen siç ka bërë në të kaluarën”, tha ai.

“Përveç ndjenjave të larta dhe të fuqishme që krijojnë te individët të cilëve u janë besuar detyrat e rëndësishme, ato sjellin me vete edhe përgjegjësi të mëdha. Duke qenë i vetëdijshëm për përgjegjësinë e vendosur mbi supet e mia në këtë periudhë të ndjeshme nëpër të cilën po kalon Kosova, po e marr komandën me vendosmërinë për të bërë të gjitha përpjekjet dhe përvojën time për të siguruar që kjo njësi e shquar të shërbejë me sukses në të ardhmen siç ka bërë në të kaluarën”, theksoi gjenerali Ulutash.

Gjeneral-majori Ozkan Ulutash është komandanti i parë turk i misionit të NATO-s në Kosovë. Ai e mori këtë detyrë në kohën që në pjesën veriore të Kosovës mbretëron një situatë mjaft e tensionuar, Tensionet në këtë pjesë të Kosovës u ngritën edhe më shumë pas sulmit të grupit të armatosur serb në Banjskë të komunës së Zveçanit, i cili është cilësuar si sulm terrorist nga autoritetet e Kosovës, por edhe nga autoritetet ndërkombëtare.

Gjeneral-majori Ozkan Ulutash e ka kryer Akademinë ushtarake të Turqisë në vitin 1989. Ai ka mbajtur detyra të rëndësishme në Ushtrinë e Turqisë. Ndër të tjera, ka qenë zëvendëskomandant i Garnizonit të Brigadës së 28-të të Këmbësorisë së Mekanizuar, drejtor i Qendrës për Studime Historike Ushtarake në Ankara dhe drejtor për strategji në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Turqisë.

Ai ka kryer detyra të rëndësishme ushtarake edhe në NATO. Ai ka qenë Komandant i Përgjithshëm i Forcës së Reagimit të Shpejtë të NATO-s në Turqi dhe Zëvendëskomandant i sektorit të Komandës së Përbashkët të NATO-s në Norfolk.

(r.m.)