Tbilisi, 17 tetor 2022 – Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, tha se shteti i saj mund të ndryshojë regjimin “liberal” të vizave për shtetasit rusë, pas një fluksi të paprecedentë që është nxitur nga vendimi i Kremlinit për të mobilizuar trupa për luftën e tij ndaj Ukrainës.
Duke folur gjatë një konference për media në Kishijev të Moldavisë, pas takimit me homologen e saj moldave, Maia Sandu, Zurabishvili i cilësoi si “sfidë” rusët që kanë shkuar në Gjeorgji gjatë javëve të fundit.
“Nuk do ta quaja kërcënim, por është një sfidë… Po ashtu nuk e përjashtoj mundësinë që ne të rishikojmë regjimin e vizave, që aktualisht është liberal dhe nuk korrespondon me agresionin rus [kundër Ukrainës]. Për këtë çështje duhet të vendosin autoritetet [e Gjeorgjisë] dhe shoqëria jonë”, tha Zurabishvili.
Zurabishvili nuk tha nëse qytetarëve rusë, që zgjedhin të hyjnë në këtë shtet të Kaukazit Jugor, do t’iu vendosen viza.
Aktualisht, rusëve nuk iu duhen viza për të hyrë në Gjeorgji dhe mund të qëndrojnë në këtë shtet për 365 ditë. Nëse largohen nga Gjeorgjia dhe shkojnë në një shtet tjetër, me t’u kthyer në Gjeorgji ata sërish mund të qëndrojnë për 365 ditë të tjera.
Zyrtarët e Qeverisë gjeorgjiane kanë thënë disa herë se nuk kanë plane për vendosjen e vizave për shtetasit rusë.
Ndërkaq, presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, tha se me Zurabishvilin janë zotuar “për bashkëpunim më të ngushtë midis Moldavisë dhe Gjeorgjisë në të ardhmen, por edhe për të punuar së bashku në rrugën e integrimit drejt Bashkimit Evropian”.
Zurabishvili shtoi se Moldavia dhe Gjeorgjia “i përkasin Evropës. Bashkëpunimi ynë në këtë rrugë do të na bëjë më të fortë”.
(REL)