Gjergj Dedaj thirret në Gjykatën Speciale për intervistim në cilësinë e dëshmitarit

Prishtinë, 30 tetor 2023 – Gjergj Dedaj ish-ambasador i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, ka njoftuar se Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë e ka ftuar për intervistim në cilësinë e dëshmitarit.

Në një postim në Facebook, Dedaj ka njoftuar se do të udhëtojë sot (e hënë) për në Hagë. Ai ka thënë se është ftuar të dëshmojë në Gjykatën Speciale kundër vullnetit të tij.

“Sot udhëtoj për Hagë!

Jam ftuar si dëshmitar në Hagë! Ndonëse viktimë e Serbisë, Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë, përkundër vullnetit tim, më kanë ftuar dëshmitar në Hagë!

Zoti e bekoftë Kosovën martire”, ka shkruar ai.

Besohet se Dedaj është ftuar të dëshmojë në procesin gjyqësor kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Vite më parë, Dedaj kishte dhënë deklarata kontradiktore lidhur me dëshminë eventuale të tij në një proces gjyqësor ndaj Hashim Thaçit. Fillimisht, ai kishte deklaruar se për Thaçin ka shumë për të treguar, por pastaj e kishte tërhequr këtë deklaratë dhe kishte shprehur vlerësimet më të larta për Thaçin.

Në procesin gjyqësor kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, deri më tani, janë dëgjuar disa dëshmitarë të prokurorisë. Shumica prej tyre kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse.

Ish-krerët e UÇK-së akuzohen nga Prokuroria e Specializuar për krime lufte dhe krime kundër njërëzimit. Në paraqitjet e tyre para gjykatës, ata janë deklaruar të pafajshëm.

(r.m.)