Prishtinë, 29 korrik 2025 – Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka shprehur shqetësimin e thellë ndaj përpjekjeve për ta politizuar zbarkimin e ekipit të FSK-së për kërkim në ujëra në Liqenin e Ujmanit, në pjesën veriore të Kosovës.
Të martën, ekipi i FSK-së për kërkim në ujëra e nxori trupin e pajetë të mërgimtarit 33 vjeçar, Rrahim Latifi, i cili është mbytur në liqe, të dielën rreth mesditës, pasi ka kërcyer në ujë nga një urë e lartë 20 metra.
Ambasada gjermane, në një komunikatë për media, ka thënë se operacioni i ekipit të FSK-së ishte lehtësuar nga KFOR-i dhe aprovuar nga komandati i KFOR-it dhe ishte strikt humanitar.
“Humbja tragjike e jetës së një njeriu duhet të jetë një moment pikëllimi kolektiv, e jo një rast për të bërë pikë politike. Deklaratat e akterëve politikë që e paraqesin këtë mision si ‘operacioni i parë i FSK-së në veri të Kosovës’ keqinterpretojnë qëllimin dhe frymën e vendosjes së trupave. Po ashtu shqetësuese janë akuzat për imazhe të manipuluara – konkretisht, heqja e elementëve të dukshëm të shoqërimit të KFOR-it – për ta promovuar një narrativë të rrejshme. Veprime të tilla rrezikojnë ta minojnë besimin e publikut dhe ta shkëpusin vëmendjen nga fokusi humanitar i misionit. Ambasada e Gjermanisë përsërit mbështetjen e saj të plotë për KFOR-in dhe mandatin e tij, dhe shpreh mirënjohjen e sinqertë për të gjithë personelin e KFOR-it dhe FSK-së të përfshirë në angazhimin e sotëm për nxjerrjen e trupit. Profesionalizimi dhe bashkëpunimi i tyre shërbejnë si një kujtesë për atë që mund të arrihet kur institucionet punojnë së bashku në shërbim të dinjitetit njerëzor”, thuhet në komunikatën e ambasadës gjermane.
Ky reagim vjen pasi akterë të subjekteve politike në pushtet dhe në opozitë i dhanë ngjyrime politike angazhimit të FSK-së në Liqenin e Ujmanit.
Lëvizja Vetëvendosje ia përshkroi qeverisë në detyrë angazhimin e FSK-së në pjesën veriore të Kosovës, duke e cilësuar këtë si operacionin e parë të FSK-së në këtë pjesë të vendit. Ndërkaq, opozita e cilësoi këtë përshkrim si keqpërdorim të humbjes njerëzore për qëllime politike.
Dislokimi i FSK-së në veri të vendit është i mundur vetëm me pëlqimin paraprak të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, bazuar në zotimin e vitit 2013 nga Qeveria e Kosovës ndaj NATO-s. Ky angazhim, i dhënë përmes një letre nga ish-kryeministri Hashim Thaçi drejtuar sekretarit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, mbetet në fuqi edhe sot, pavarësisht ndryshimeve në mandatin e FSK-së.
Ekipi i FSK-së për kërkim në ujëra mori pjesë në operacionin e kërkimit në Liqenin e Ujmanit me autorizim të komandantit të KFOR-it, gjeneralmajorit Enrico Barduani.
“Angazhimi i FSK-së në këtë rast është në përputhje me mandatin e saj fillestar, që përfshin ndihmë për komunitetet lokale në raste katastrofash natyrore dhe operacione të kërkim-shpëtimit”, njoftoi KFOR-i.

(r.m.)