Gjermania i quan të papranueshme deklaratat e Dodikut për Christian Schmidtin

Berlin, 11 shtator 2025 – Ambasada e Gjermanisë në Sarajevë i ka cilësuar sit ë papranueshme dhe fyese deklaratat e ish-presidentit të Republikës Serbe në Bosnjë, Millorad Dodiku për përfaqësuesin e lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt.

Ambasada u bëri thirrje të gjitha palëve në Bosnje që “të distancohen nga kjo mënyrë e të shprehurit” dhe “të bashkëpunojnë me bashkësinë ndërkombëtare në mënyrë të denjë”.

Ambasada kujton se Schmidt u propozua nga Gjermania dhe u zgjodh nga Bordi Drejtues i Këshillit të Zbatimit të Paqes në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke filluar me Rezolutën 1031 (1995).

“Si autoriteti përfundimtar për marrjen e vendimeve detyruese mbi masat e nevojshme për zbatimin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, kompetencat e tij rrjedhin nga Shtojca 10 e Marrëveshjes së Përgjithshme Kornizë për Paqen (GFAP) dhe janë konfirmuar rregullisht nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së që nga viti 1998, përfshirë Rezolutën 1144. Gjykata Kushtetuese e Bosnjës gjithashtu i ka njohur në mënyrë të qartë kompetencat e përfaqësuesit të lartë”, thuhet në deklaratën e ambasadës gjermane.

Të martën, gjatë vizitës në Moskë, Milorad Dodik, e ka akuzuar faktorin ndërkombëtar se po përpiqet t’ia imponojë vendimet Bosnjës, përmes përfaqësuesit ndërkombëtar në Bosnjë, Christian Schmidt. Ai e ka quajtur Schmidtin “një i huaj pa emër”.

“Për vite me radhë kemi pasur një të huaj pa emër të quajtur Schmidt, përmes të cilit ata imponojnë vendime”, ka thënë Dodik.

Muajin e kaluar, Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjës, ia hoqi Dodikut mandatin e Presidentit të Republikës Serbe, entitetit serb të Bosnjës, pasi Gjykata e Apelit e Bosnjës e vërtetoi dënimin e tij me një vit burgim dhe me ndalim të ushtrimit të detyrave publike për gjashtë vjet.

Ai u dënua pikërisht për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje.

(r.m.)