Prishtinë, 2 prill 2026 –Ministria e Mbrojtjes e Kosovës e ka pranuar një donacion në vlerë prej 3 milionë eurosh nga Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë.
Ministri Ejup Maqedonci ka bërë të ditur se ky donacion që ka qëllim zhvillimin dhe rritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, realizohet përmes programit “Enable and Enhance”.
“Sot, Ministria e Mbrojtjes ka pranuar një donacion në vlerë prej 3 milionë eurosh nga Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë, i dedikuar për realizimin e pesë projekteve konkrete, me fokus në plotësimin e flotës së transportit ushtarak si dhe në zhvillimin e kapaciteteve të mbështetjes mjekësore”, ka shkruar Maqedonci.
Ai ka treguar se gjatë takimit me ambasadorin gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, ku është bërë zyrtarizimi i këtij donacioni, është diskutuar edhe për zgjerimin e bashkëpunimit mes Kosovës e Gjermanisë në fushën e mbrojtjes.
“Me Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, i cili sot zyrtarizoi këtë donacion, diskutuam gjithashtu për zgjerimin dhe thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes”, ka shkruar ai.
(r.m.)