Gjermania ndërpret bashkëpunimin me Kosovën në disa fusha, shkaku i tensioneve në veri

Prishtinë, 6 korrik 2023 – Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ka ndërprerë përkohësisht bashkëpunimin me Kosovën në disa fusha të caktuara, shkaku i mospërmbushjes së kërkesave të Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Nga kjo masë – të cilën Gjermania thotë se e mori në përputhje me veprimet e Brukselit – nuk preken “projektet me sektorin e shoqërisë civile, si dhe projektet që kemi filluar t’i zbatojmë”.

“Masat përfshijnë shtyrjen e konsultimeve qeveritare për bashkëpunimin për zhvillim, pezullimin e një partneriteti të parashikuar dypalësh rreth klimës dhe dorëzimin e pajisjeve specifike për ofruesit e sigurisë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë për REL-in.

“Ne dëshirojmë të theksojmë se të gjitha projektet e prekura [nga këto masa] mund të rifillojnë në çdo moment. Për këtë kërkohet zbatimi urgjent i masave të nevojshme për de-përshkallëzim të situatës në komunat në veri”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Gjermanisë.

Në fund të muajit qershor, BE-ja pezulloi përkohësisht punën e të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) – që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok – si dhe ftesat për pjesëmarrjen e Kosovës në takime të nivelit të lartë.

BE-ja ka thënë se këto masa janë të përkohshme dhe mund të hiqen nëse Kosova ndërmerr hapat e kërkuar për shtensionim të situatës.

(r.m.)