Bruksel, 28 nëntor 2023 – Gjermania shprehu edhe një herë shqetësimin për rrezikun e nxitjes së konfliktit në rajonin e Ballkanit.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, tha të martën në Bruksel se aktorët e jashtëm po tentojnë vazhdimisht të destabilizojnë rajonin.
“Kjo vlen, jo vetëm për situatën në kufirin midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe për situatën në Bosnje dhe Hercegovinë. NATO-ja, por edhe BE-ja, është një nga garantuesit për sigurinë e Ballkanit Perëndimor”, tha Baerbock.
Ministrja e jashtme gjermane e bëri këtë paralajmërim në prag të takimit të të ministrave të jashtëm të NATO-s që do të mbahet në Bruksel.
Ajo i cilësoi si tejet të rëndësishme diskutimet në nivel të ministrave të NATO-s rreth situatës në rajon dhe theksoi se perspektiva e anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE është “sigurim jetësor” për këto vende.
Baerbock shprehu shpetësime veçanërisht për tensionet midis Kosovës e Serbisë. Ajo paralajmëroi se Gjermania do të dërgojë 150 ushtarë shtesë në kuadër të KFOR-it gjatë vitit të audhshëm.
Pas sulmit në Banjskë që ndodhi më 24 shtator, NATO ka forcuar, me rreth 1.000 trupa shtesë praninë e saj ushtarake në Kosovë dhe me armatime më të rënda. Tani NATO po e shqyrton mundësinë që numri i shtuar i ushtarëve të jetë afatgjatë dhe që ushtarët të kenë aftësi më të mëdha ushtarake.
Më 29 maj, dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it u lënduan pas konfrontimit me protestuesit në Zveçan pasi kryetarët shqiptarë hynë në ndërtesat komunale me ndihmën e policisë.
Ndërkaq, më 24 shtator, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur i serbëve në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë. Autoritetet e Kosovës e cilësuan këtë sulm se akt agrisioni të Serbisë ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës.
(r.m.)