Gjermania zoton 90 milionë euro për punësim, energji dhe integrim të Kosovës në BE

Prishtinë, 30 prill 2024 – Ministria e Financave dhe Transfereve, përmes një postimi në Facebook, njoftoi se Gjermania i ka zotuar 90 milionë euro për punësim, energji dhe integrim të Kosovës në Bashkimin Evropian, 20 milionë euro prej të cilave do të jepen në formë grantesh.

Memorandumi është nբnshkruar nga ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe kryesuesja e Divizionit për Evropën Juglindore dhe Lindore nga Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik e Gjermanisë, Heike Backofen-Warnecke.

“Pas përfundimit të negociatave mes Kosovës dhe Gjermanisë, Qeveria Gjermane zotoi një mbështetje shtesë prej 90 milionë euro për Republikën e Kosovës për periudhën 2024/2025, prej të cilave 20 milionë euro janë në formë të granteve. Kjo marrëveshje e re shënon rritje të theksuar të vlerës së mbështetjes krahasuar me atë paraprake për periudhën 2022/2023, që ishte në vlerë prej 37 milionë euro, duke dëshmuar kësisoj thellimin e bashkëpunimit në mes të të dyja vendeve”, thuhet në njoftim.

“Këto mjete do të destinohen për të mbështetur integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe ndër të tjera fokusohen në investime në sektorin e energjisë, përkatësisht procesit të dekarbonizimit, garantim të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, ofrim të trajnimeve dhe punësimit si dhe mbështetje të komunave, veçanërisht në menaxhimin e mbeturinave dhe ruajtjen e mjedisit.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se këto mjete do të përdoren për ndërtimin e ngrohtores diellore dhe për rehabilitimin e ujërave të zeza në Prishtinë, për menaxhimit të mbeturinave në gjithë Kosovën dhe për themelimin e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) në Prizren.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rohde, citohet të ketë thënë se projektet që do të realizohen përmes fondeve të zotuara sot do të përforcojnë pavarësinë ekonomike të grave dhe do të nxisin zhvillimin ekonomik të Kosovës.

 (r.m.)