Gjiganti metalurgjik “Ferronikeli” rinis prodhimin pas dy vjetësh

Prishtinë, 21 qershor 2023 – Korporata metalurgjike “NeëCo Ferronikeli Complex LLC” në Drenas, e cila prodhon dhe eksporton nikel në shumë vende të botës, eka rinisur prodhimin pas afër dy vjetësh.

Kjo kompani e ka ndërprerë prodhimin më 8 tetor të vitit 2021, për shkak të shtrenjtimit të energjisë elektrike në Evropë, duke rrezikuar punën e mbi 2 mijë punëtorëve.

Prodhimi rifilloi të mërkurën, më 21 qershor, pas parapërgatitjeve trijavore për rindezjen e furrave dhe makinerive.

‘Ferronikeli” ka qenë kompani publike para se të privatizohej, në vitin 2005. Në vitin 2018, ajo është blerë nga korporata “Balfin Group” nga Shqipëria. Ndërkaq, rreth një vit më parë, ajo kaloi në pronësi të konsorciumit turk “Yildirim Group”.

“Objektivi ynë është që ‘Ferronikelin’ ta bëjmë kompani active dhe efiçiente, që do të japë një kontribut të vyer për ekonominë e Kosovës”, tha Cemil Acar, drejtor i përgjithshëm i kësaj kompanie, në hapjen zyrtare të prodhimit.

“Ferronikeli” ishte prekur direkt nga shtrenjtimi i energjisë në Evropë për shkak se kjo kompani nuk furnizohet fare me energji brenda Kosovës,  por e blen atë direkt nga tregjet e jashtme.

Sipas të dhënave të bursës së Hungarisë, HUPX, aktualisht një megavat i energjisë elektrike është rreth 120 euro. Në fillim të krizës energjetike, një kilovat kishte shkuar mbi 230 euro.

Në fund të tetorit të vitit 2021, punëtorët e “Ferronikelit” kishin protestuar para Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar ndihmë që puna e korporatës të mos ndërpritej.

“Ferronikeli” është ndër eksportuesit më të mëdhenj në Kosovë. Në vitin 2019, kjo kompani kishte eksportuar nikel në vlerë prej 51 milionë eurosh. Atë vit eksporti i “Ferronikelit” përbënte rreth 13 për qind të gjithë eksporteve të Kosovës.

(r.m.)