GJKKO e pranon kërkesën e Ajola Xoxës. Do të gjykohet në gjendje të lirë

Tiranë, 30 mars 2026 – Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) e ka pranuar kërkesën e Ajola Xoxës për heqjen e dy masave të sigurisë “Detyrim paraqitje” dhe “Ndalim të daljes jashtë vendit”, raporton “Panorama”.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se gjykata vendosi që bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, të gjykohet në gjendje të lirë.

Ajola Xoxa kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë me pretendimin se gjendja e saj shëndetësore, për shkak të shtatzënisë, kërkon trajtim më fleksibël, si edhe mundësinë për të lëvizur jashtë vendit.

Ajola Xoxa është dërguar për gjykim bashkë me Bashkëshortin e saj, kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, dhe me persona të tjerë. Ajo akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim parash, fshehje të të ardhurave dhe mosdeklarim të pasurisë.

Veliaj ndodhet në masën “arrest me burg” që prej 10 shkurtit 2025 kur u arrestua me urdhër të SPAK. Ndaj tij janë ngritur 13 akuza, përfshirë akuzat për korrupsionin pasiv, për pastrim parash, për mosdeklarim të pasurisë dhe për shpërdorim të detyrës.

Veliaj ka kërkuar disa herë zbutjen e masës së sigurisë “arrest me burg”, por ankesat e tij janë refuzuar nga GJKKO.

(r.m.)

Comment

*