GJND e urdhëron Izraelin ta ndalë menjëherë ofensivën në Rafah

Hagë, 24 maj 2024 – Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e urdhëroi Izraelin që “të ndalojë menjëherë” ofensivën ushtarake në Rafah, në jug të Rripit të Gazës.

Duke e publikuar vendimin, Presidenti i GJND-së, Nawaf Salam, tha se gjendja në Gazë është përkeqësuar dhe se “shteti i Izraelit duhet të ndalojë menjëherë ofensivën ushtarake dhe çdo veprim tjetër në rajonin e Rafahut, që mund të verë në rrezik jetën e palestinezëve në Gazë”.

Gjykata e urdhëroi Izraelin edhe ta hapë menjëherë pikën kufitare mes Egjiptit dhe Gazës, për të bërë të mundur kalimin e ndihmave humanitare.

Vendimi i sotëm i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë  erdhi pas kërkesës së Afrikës së Jugut për ndalimin e ofensivës izraelite në Rafah.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është organi më i lartë ligjor i Kombeve të Bashkuara për trajtimin e mosmarrëveshjeve midis shteteve. Vendimet e saj janë përfundimatare, por në të shkuarën ato nuk janë zbatuar, sepse kjo gjykatë nuk ka fuqi detyruese.

Ka pak të ngjarë që Izraeli ta zbatojë vendimin e sotëm të kësaj gjykate, por ky vendim e rrit trysninë mbi Izraelin që po izolohet gjithnjë e më shumë. Kritikat ndaj Izraelit për mënyrën se si po e zhvillon luftën në Gazë janë rritur, veçanërist pas operacioneve ushtarake në Rafah. Kritika për këto operacione kanë ardhur edhe nga aleati më i ngushtë i Izraelit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

(Sipas Zërit të Amerikës)