Gjok Ndoka dhe Fran Frrokaj dënohen me nga 3 vjet burg, për abuzime me prona

Tiranë, 28 tetor 2022 – Gjykata e Apelit në Shkodër gjeti fajtorë dhe dënoi me me nga tre vjet burg ish-kryebashkiakun e Lezhës Fran Frrokaj dhe ish-kryetarin e Qarkut Lezhë Gjok Ndoka, të akuzuar për tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Shëngjinit.

Trupa e kryesuar nga Tonin Sterkaj, me anëtarë Anita Mici dhe Florjan Kalaja bëri me dije se kishte lënë përgjithësisht në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, duke rishikuar vetëm masat e dënimit për të akuzuarit. Frrokaj dhe Gjoka, që ishin të akuzuarit kryesorë të çështjes u dënuan me nga 3 vjet burg nga katër vite që kishte dhënë Gjykata e Faktit.

Gjykata po ashtu ndryshoi vendimin për ish-futbollistin Renato Malotaj, i cili u gjet fajtorë në Apel dhe u dënua me 6 muaj me kusht.  Disa nga zyrtarët dhe qytetarët të hetuar sëbashku me dy të mësipërmit që prej vitit 2017, përfituan masë dënimi me kusht, ndërsa pronat e tjetërsuara u konfiskuan, ndërsa u urdhërua shkatërrimi i dokumenteve të tjetërsimit.

Gjykata dënoi Enver Hafizi, ish-nënkryetar i Bashkisë Lezhë me 20 muaj liri me kusht, Juxhina Mema, ish-punonjëse e Bashkisë Lezhë u dënua me 2 vjet burg,  Ardenis Haxhia, jurist pranë Bashkisë Lezhë u dënua 22 muaj me kusht. Ndaj  Eduart Lekajt, ish – sekretar pranë ish – Komunës Shengjin në Lezhë, u la në fuqi vendimi i Shkallës së Parë, po ashtu u la në fuqi dënimi për Artan Djalën, ish-drejtues i ZVRPP Lezhë,  Ermando Jakajn dhe Bledar Carën, specialist të  ZVRPP Lezhë. Për dy prej përfituesve Frrok Frroku dhe Pjetër Lini, gjykata njoftoi konvertimin e dënimit me kusht, ndërsa u la në fuqi dënimi për të tjerët përfshi Lek Frrokun, Vasil Gjonin,  Zef Gjinin dhe Nikoll Tinajn, përfitues dhe tjetërsues të pronave.  Në fuqi u la vendimi edhe për Luigj Paloka, topograf.

Edhe pse vendimi i apelit është i formës së prerë Ish-kryebashkiaku Fran Frrokaj, i cili ishte i vetmi ish-zyrtar i padehur gjatë dhënies së vendimit u largua nga salla pa u ndaluar nga policia. Të pyetura nga BIRN policia e Lezhës tha se ishte në pritje të njohjes zyrtarisht me vendimin dhe urdhërin e ekzekutimit nga ana e prokurorisë.

Avokati Neshat Fana, i cili mbrojti Frrokun në gjykatë, i tha BIRN se ata do të kërkonin pafajësi dhe bënin rekurs në Gjykatën e Lartë. I pyetur mbi mos ndalimin e Frrokut, Fana tha se koha që merrej për procedurën ishte normale dhe se klienti i tij nuk kishte ndërmend të arratisej. “Ai është një njeri serioz që do të luftojë për pafajësinë e tij”, tha avokati duke shtuar se ai do të dorëzohej kur të thërritej nga policia.

Hetimet për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin kanë nisur në vitin 2017-të, kur në prokurori u denoncua tjetërsimi i i 234 mijë e 548 metër katrore tokë shtetërore ranishte. Fillimisht në këtë çështje sëbashku me kryebashkiakun u arrestuan edhe 22 persona të tjerë, por në gjykatë dosja u dërgua për 18 persona. Për tjetërsim pronash në bregdet ish-kryebashkiaku i Lezhës Fran Frrokaj dhe ish-kryetari i Qarkut Gjok Ndoka dhe një pjesë e mirë e të dënuarve të së premtes, janë marrë të pandehur dhe nga SPAK.

SPAK i akuzon ata si pjesë e një grupi të strukturuar në tjetërsimin e pronave të zbuluar pas një hetimi të nisur në vitin 2019, ndaj një grupi të narko-trafikut. Më herët Gjykata e Posaçme ka dënuar vëllain dhe familjarë të tjerë të ish-deputetit socialist Arben Ndoka të përfshirë në një aferë të ngjashme sëbashku me një pjesë të dënuarve së fundmi.

(Reporter.al)