Një jetë që nisi në Brockton, Massachusetts në SHBA, kaloi në Institution Çajkovski të Moskës, në skenat e operës në Shqipëri dhe nëpër botë, për t’u mbyllur përsëri në Amerikën e dashur
Ruben Avxhiu
Si sot 100 vjet më parë u lind në SHBA, Gjoni Athanas, këngëtari i njohur operistik shqiptar.
Fati e deshi që familja të kthehej në Shqipëri dhe të mbetej aty gjatë komunizmit. Por Gjonit do t’i buzëqeshte fati në sajë të talentit të tij që u shfaq në kohën e duhur.
Gjatë kohë kur kryente shërbimin e detyruar ushtarak, spikati zëri i tij kumbues dhe e përfshinë në Korin e Ansamblit të Ushtrisë. Ishte koha kur shteti shqiptar po investonte për një aradhë të re artistësh klasikë dhe shpejt e pa veten në kryeqytetin e superfuqisë tjetër të kohës, Bashkimit Sovietik. Studioi në Konservatorin Çajkovski në Moskë. Aty u shqua mes studentëve nga vende të ndryshme të botës.
Në Shqipëri, ishte protagonist i të gjitha operave të vëna në skenë në Teatrin e Operës dhe Baletit Por si e thotë vetë, Gjoni, roli i jetës për të do të mbetej ai i Gjergj Kastriot Skënderbeut, në operën me emrin e heroit kombëtar në titull, të kompozitorit Prenk Jakova.
Këto e të dhëna të tjera janë marrë nga shkrimi i Fuat Memellit, këtu poshtë, ku mund të lexoni më shumë të dhëna për jetën dhe veprimtarinë e tij.
Si shkruan Fuati, në ditarin personal të artistit, mbajtur midis viteve 1957-1993 “numërohen 1100 koncerte dhe 450 shfaqje operash”. Ja disa nga vendet ku u ngjit nw skenw pwr tw kwnduar bashkw me kolegwt artistw shqiptarw: Rusi, Kinë, Rumani, Hungari, Mongoli, Kore, Vietnam, Bullgari, Ukrainë, Lituani, Jugosllavi etj.
Athanasi dha mësim për gati 20 vjet me radhë në Institutin e Lartë të Arteve dhe gëzonte dashurinë e studentëve të tij.
Një kuriozitet personal për këngëtarin e shquar: U martua me dashuri me artisten Sekine Sharofi Athanas, një balerinë klasike. Si shkruan Fuati, “kjo dasmë bëri bujë atëherë, pasi ai ishte djalë prifti, ndërsa Sekineja qe vajza e drejtorit të Medresesë në Tiranë”. Kanë lënë pas dy vajza: Mirelën dhe Edlira si dhe mbesën Julia dhe nipin Easton.
Në vitin 1994, rikthehet përgjithmonë në vendlindje, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Trajektorja e jetës e bëri rrethin të plotë. Ndonëse në moshë, zëri i tij mbetej mbresëlënës dhe kjo u dha mundësi edhe bashkatdhetarëve në Amerikë që të shijojnë disa interpretime të tij sidomos në ngjarje të rëndësishme të komunitetit.
“Përcjellja e tij për në banesën e fundit, u bë me një përshpirtje në kishën e Shën Gjergjit, mbajtur nga kancelari i kësaj kishe, At Artur Liolini”, shkruan Fuat Memelli.
Për më shumë të dhëna nga jeta e Gjon Athanasit lexoni: https://www.illyria.com/i-jepet-lamtumira-e-fundit-ne-boston-nje-prej-ikonave-te-operas-shqiptare-gjoni-athanas







