Podgoricë, 19 maj 2026 – Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka deklaruar se afera “S.Ç” e vitit 2002, e cila ishte zbuluar nga autoritetet malazeze, ishte vazhdimësi e veprimeve të agjencive të inteligjencës dhe të sigurisë të Serbisë kundër pavarësisë së Malit të Zi.
“Qëllim i të ashtuquajturës aferë “S.Ç.” ishte krijimi i opinionit negativ të bashkësisë ndërkombëtare për pavarësinë e Malit të Zi, duke më kompromentuar mua dhe Malin e Zi”, ka thënë Gjukanoviq, tani kryetar nderi i DPS-së, në një intervistë me Televizionin E, me rastin e 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi, transmeton “Mportal.me”.
Gjykanoviq ka thënë se një tjetër qëllim i aferës “S. Ç.” ka qenë edhe kompromentimi i KFOR-it.
“Në kabinetin e Presidentit të atëhershëm të Republikës Federale të Jugosllavisë, Vojislav Koshtunica, ishte një ekip që e përfaqësonte vazhdimësinë e politikës së Sllobodan Millosheviqit: Rade Bullatoviq, Gradimir Naliq, Sasha Tijaniq, Lila Nedelkoviq. Këta ishin njerëzit që luanin me ndjenjat nacionaliste të Koshtunicës dhe e shtynë atë në konfrontime me Zoran Gjingjiqin, në mënyrë që Serbia të qëndronte në rrugën e saj tradicionale anti-perëndimore. Gjithashtu, të merrej me mua në mënyrë që të parandalonte pavarësinë e Malit të Zi dhe të ruante shtetin e përbashkët”, ka thënë ai.
Gjukanoviq ka thënë se një nga qëllimet e kësaj qendre të pushtetit politik e të sigurisë ishte destabilizimi i Kosovës.
“Ata besonin se në këtë mënyrë do të ngadalësonin dhe, në fund, do të parandalonin njohjen ndërkombëtare të Kosovës”, ka thënë ai.
Ish-presidenti i Malit të Zi ka thënë se Beogradi synonte që përmes aferës “S.Ç.” të kompromente udhëheqjen ushtarake të KFOR-it në Kosovë.
“Për këtë qëllim, ishin përgatitur 27 vajza, të cilat do të joshnin zyrtarë të lartë ushtarakë të KFOR-it. Midis tyre ishte edhe S.Ç. Ne atëherë e siguruam informacionin se ajo [S.Ç.] po stërviteJ në hapësirat e stadiumit të Obiliqit. Për fat të mirë, KFOR-i dhe UNMIKU e morën me kohë këtë informacion dhe e parandaluan këtë aktivitet”, ka thënë Gjukanoviq.
(r.m.)