Gjykata Administrative shtyn seancën për padinë e Veliajt ndaj prokurorit Ols Dado

Tiranë, 8 maj 2026 – Gjykata Administrative ka shtyrë seancën për shqyrtimin e padisë së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj kundër emërimit të Ols Dados si Prokuror në vitin 2008, duke kërkuar që padia të shpallet e paligjshme. 

Shkak është bërë kërkesa e kryebashkiakut Veliaj për t’u njohur me prapësimet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), të paraqitura si palë e paditur.

“Sapo mora prapësimet dhe thuhet se unë nuk duhet të legjitimohem se nuk kam interes aktual, personal dhe të drejtëpërdejtë. Unë jam vetë në burg e nderuar. Kërkoj kohë që të njihem me prapësimet e bëra nga pala e paditur KLP”, tha Veliaj citon Panorama.

Për rrjedhojë, gjykata vendosi që të shtyjë seancën, për t’i dhënë kohë Veliajt dhe avokatit të njihet me provat.

Seanca e radhës do të mbahet më 19 qershor, në orën 14:00.

Plarent Ndreca, avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pas shtyrjes së seancës, tha se ka një presion të shtuar dhe një “harmonizim institucional” për të mbyllur padinë e Veliajt kundër emërimit të Prokurorit Ols Dado.

“Jemi në një situatë ku ka një presion të jashtëzakonshëm dhe ku tentohet që të mos shqyrtohet çështja”, tha ai.

Ndreca e përmendi një shkresë që, sipas tij, nuk është autorizuar nga KLP, të cilën gjykata nuk duhet ta injoronte. Ai tha se KLP nuk është mbledhur asnjëherë për çështjen e Dados dhe se nuk ka dalë me një vendim kolegjial lidhur me këtë çështje.

“KLP nuk është mbledhur asnjëherë për këtë çështje. I kërkova përfaqësueses vendimin. Nuk ekziston. Nënkryetari i KLP është shprehur në mënyrë të paligjme në emër të organit kolegjial”, tha ai.

“KLP është organi më i interesuar për të vërtetën dhe duhet të bëhej bashkë me ne për të verifikuar nëse zoti Dado e ushtron aktivitetin publik në bazë të kushtetutës. Ajo që duket të paktën në gjyq, është fakti se kanë harmonizim në mbrojtjen që i bëjnë zotit Dado. KLP është organi që garanton qytetarët për integritetin e prokurorëve”, theksoi Ndreca.

(r.m.)