Tiranë, 24 shkurt 2026 – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar rrëzoi një ankim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ndaj një vendimi të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, e cila e kishte refuzuar kërkesën për lirim nga paraburgimi me garanci pasurore të Veliajt.
Gjykata e Posaçme e Apelit e ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, duke e lënë Veliajn në burg.
Kreu i Bashkisë së Tiranës i është drejtuar Apelit me kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg” me arsyetim se situata procedurale ka ndryshuar, pasi çështja tashmë ka kaluar për gjykim dhe provat janë administruar, gjë që, sipas Veliajt, e përjashton rrezikun për prishjen apo manipulimin e tyre.
Veliaj ka ofruar garanci pasurore për zbutjen e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Gjykata bëri të ditur se Veliaj kishte kërkuar “zëvendësimin e masës së sigurimit ‘Arrest në burg’, parashikuar nga neni 238 i K.Pr. Penale, me një masë sigurimi më të butë si ‘Garancia pasurore’, parashikuar nga neni 236 i K.Pr. Penale ose ‘Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore’, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale”.
Erion Veliaj ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit të vitit të kaluar. Ai, së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milion euro nga kjo skemë korruptive, para të cilat janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa.
Çështja ndaj Veliajt dhe të tjerëve kaloi për gjykim më 9 shkurt të këtij viti.
(r.m.)