Gjykata e Lartë e rikthen dënimin me burg të përjetshëm për Dritan Dajtin

Tiranë, 11 qershor 2024 – Gjykata e Lartë vendosi të martën që të rikthejë dënimin me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin, pas një sage gjyqësore 15 vjeçare për rastin e vrasjes së katër punonjësve të Policisë së Shtetit në vitin 2009, raporton Reporter.al.

Sipas njoftimit të Gjykatës, trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Sandër Simoni dhe Artur Kalaja vendosi të prishë vendimin kontrovers të 8 shkurtit të vitit 2019 të Apelit për Krime të Rënda, përmes së cilit Dajti përfitoi uljen e dënimit në 25 vjet burg. Më parë, Gjykata e Lartë vendosi të mos e pranonte kërkesën e Dajtit për të përjashtuar nga procesi gjyqtarin Sandër Simoni.

Në korrik të vitit 2014, Dritan Dajti u dënua nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda me burgim të përjetshëm për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” të punonjësve të policisë Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feska,j gjatë një operacioni për arrestimin e tij, më 7 gusht të vitit 2009, në plazhin e Durrësit.

Në të njëjtën ngjarje u vra edhe shtetasi Ledjon Mara, ndërsa mbetën të plagosur Fatjon Shamku dhe vetë Dajti.

Oficerët e policisë ishin në operacion për arrestimin e Dajtit, i cili ishte në arrati që nga viti 2004, kur u arratis nga ambientet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kur po gjykohej për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo, të kryer në vitin 1999.

Çështja gjyqësore ndaj Dajtit isjhte si test për gjithë sistemin gjyqësor në Shqipëri, Ajo u zvarrit vite me radhë pas tërheqjes së njëpasnjëshme të avokatëve dhe tërheqjes së anëtarëve të trupave gjykuese.

E megjithatë, në vitin 2019, një trup prej pesë gjyqtarësh të komanduar nga Apelet e Vlorës dhe të Shkodrës vendosi ta pranonte kërkesën e Dajtit për gjykim të shkurtuar, duke e shpëtuar atë nga burgimi i përjetshëm dhe duke e ulur dënimin e tij në 25 vjet burg.

Vendimi që e shpëtoi Dajtin nga burgimi i përjetshëm shkaktoi tronditje në opinionin publik dhe u pasua nga hetime për korrupsion dhe bastisje të shtëpive të tre gjyqtarëve që votuan në favor të uljes së dënimit: Skënder Daminit, Aleks Nikollit dhe Petrit Aliajt.

Por, një vit më vonë, hetimet ndaj këtyre tre gjyqtarëve u pushuan pa ndonjë rezultat.

(r.m.)

Comment

*