Gjykata e Lartë i hap rrugë ekstradimit në Turqi të bosit të kriptomonedhave

Tiranë, 18 prill 2023 – Gjykata e Lartë vendosi më 13 prill të rrëzojë rekursin e shtetasit turk Faruk (Fatih) Ozer, ndaj vendimit të formës së prerë të Gjykatës së Apelit Durrës për lejimin e ekstradimit të tij në Turqi, ku akuzohet se ka përfituar afro 2 miliardë dollarë përmes mashtrimit të mijëra përdoruesve të platformës së kriptovalutës.

Vendimi është marrë nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici.

Ozer u arrestua në Shqipëri në fund të gusht të vitit 2022 për llogari të Turqisë, ku akuzohet për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”. Ai u shpall në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet se u largua nga vendi me afro 2 miliardë dollarë të përfituara përmes mashtrimit të mijëra përdoruesve të platformës së tij të kriptovalutës.

Më 17 nëntor 2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan vendosi në favor të ekstradimit të tij drejt Turqisë, vendim që u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit Durrës më 30 dhjetor të vitit të kaluar. Vendimi i shkallës së parë u ankimua dhe pas vendimarjes së formës së prerë u ushtrua rekurs me pretendimin se ekstradimi në Turqi i rrezikonte jetën, por këto shkaqe të ngritura nga Ozer nuk janë gjetur bindëse as prej Gjykatës së Lartë.

(Reporter.al)