Gjykata e Lartë rrëzon “2A Group”. Kompania e Pacollit rikthehet në Aeroportin e Vlorës

Tiranë, 26 maj 2026 – Gjykata e Lartë ka prishur këtë të martë vendimin që pezullonte të drejtën e votës dhe të drejtat e tjera të shoqërisë “Mabco” në kompaninë “Vlora International Airport” (VIA), duke i rikthyer kompanisë së biznesmenit Behgjet Pacolli kontrollin mbi të drejtat e saj në projektin e aeroportit të Vlorës.

Vendimi i Gjykatës së Lartë bie ndesh me qëndrimet e mëparshme të Gjykatës së Tiranës, Dhomës Civile dhe Apelit të Përgjithshëm në Tiranë.

Tre gjyqtarët e Kolegjit Civil, të cilët shqyrtuan rekursin e paraqitur nga “Mabco”, vendosën të rrëzojnë kërkesën e kompanive VIA dhe “2A Group” për vendosjen e masës së sigurimit ndaj saj.

Përplasja mes dy shoqërive lidhet me pretendimet për kuotat dhe kontrollin në kompaninë “Vlora International Airport”. “2A Group” kishte kërkuar në gjykatë përjashtimin e “Mabco”-s nga shoqëria dhe, deri në dhënien e një vendimi përfundimtar, bllokimin e së drejtës së votës së saj.

Kjo kërkesë ishte pranuar në dy shkallët e mëparshme të gjyqësorit, por vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë ndryshon rrjedhën e çështjes dhe rikthen të drejtat e “Mabco”-s në kompaninë që menaxhon ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Konflikti mes palëve kulmoi më 16 maj, kur puna në kantierin e aeroportit u bllokua përkohësisht. Sipas raportimeve, “2A Group” nuk lejoi hyrjen në kantier të punonjësve dhe nënkontraktorëve të “Mabco”.

(Albanian Post)