Gjykata e Lartë rrëzon rekursin Veliajt për “shkelje proceduriale” të SPAK

Tiranë, 20 shkurt 2026 – Gjykata e Lartë vendosi të enjten mospranim të rekursit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kundër një vendimi të 20 tetorit të vitit që shkoi, të Gjykatës së Posaçme të Apelit, e cila rrëzoi ankimin e Veliajt mbi shkelje të procedurave nga prokuroria dhe pavlefshmëri të akteve të hetimit kundër tij, bashkëshortes, bashkëpunëtorëve të tyre dhe një grupi biznesmenësh.

Konkretisht Veliaj kishte kërkuar: “Konstatimi i shkeljeve procedurale te Prokurorisë se Posaçme gjate fazës se hetimeve paraprake te procedimit penal nr. 27, te vitit 2024 dhe pavlefshmërinë e veprimeve hetimore”. Gjykata e Lartë vendosi: “Mospranimin e rekurseve të paraqitura nga Erion Veliaj kundër vendimit 228(87-2025-359) datë 20.10.2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.

Vendimi i Gjykatës së Lartë është ende i pazbardhur, por të dhënat nga vendimi i Apelit tregojnë se Veliaj ngriti pretendimi mbi regjistrim të një kallëzimi të dyshuar si i falsifikuar, mungesë veprimesh për identifikimin e kallëzuesit, hetime përtej afateve, veprime të BKH-së para regjistrimit të procedimit, përdorim deklarimesh me vetë përgjegjësi, sekuestrim të të dhënave kompjuterike pa vendim gjykate, lexim e përdorim të korrespondencës pa bazë ligjore, si edhe konflikt interesi apo mungesë kriteresh të një prokurori, si dhe cenim të të drejtës për mbrojtje efektive e barazi armësh.

Fillimisht Gjykata e Posaçme dhe më pas ajo e Apelit e kanë rrëzuar ankimin, duke bërë të qartë se këto janë pretendime që shqyrtohen gjatë seancës paraprake dhe ose në procesin gjyqësor dhe jo nga gjyqtari i hetimit.

Gjykata e Apelit vlerësoi se pretendimet se mos vendimmarrja paragjykonte çështjen ishin të pabazuara. “Haptazi i pabazuar është edhe pretendimi tjetër se me shtyrjen e shqyrtimit të pavlefshmërisë Gjykata e Shkallës së Parë ka paragjykuar zgjidhjen e çështjes në themel, duke pritur një vendim për kalimin e çështjes në gjyq. Gjykata e Shkallës së Parë me të drejtë ka refuzuar ta shqyrtojë çështjen në themel për shkak të mungesës së juridiksionit të saj funksional”, thuhet në vendim.

Gjykata bën me dije se rrëzimi i ankimit as i shpall këto prova apo veprime të vlefshme dhe as u jep atyre pavlefshmëri. “Rëndësia e veprimeve apo vendimeve të prokurorit nga pikëpamja e pasojave që ato sjellin, e parë kjo me ekzistencën ose jo të së drejtës për të bërë menjëherë ankim nga ana e të pandehurit ndaj tyre, sanksionohet nga ligji dhe nuk mbetet në vullnetin e të pandehurit”, thuhet në vendimin e Apelit.

Kjo nuk është përplasja e vetme procedurale në këtë çështje. Vendimi  për kalimin e çështjes në gjykim u shty për 11 seancave për arsye të mosparaqitjes së avokatëve, apo për t’u dhënë kohë atyre për të përgatitur kërkesat e tyre në seancën paraprake. SPAK u ankua në këtë rast se Veliaj dhe mbrojtësit e tij po pengonin zhvillimin e seancës paraprake.

Çështja ndaj Veliajt dhe të tjerëve kaloi për gjykim në 9 shkurt të këtij viti.

Erion Veliaj u arrestua më 10 shkurt 2025, pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.

Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milion euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa.

(Reporter)