Gjykata e Lartë rrëzon shpresën e Veliajt për lirim nga qelia

Tiranë, 8 korrik 2025 – Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi la në fuqi masën e arrestit me burg për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, i akuzuar për një skemë korrupsioni së bashku me bashkëshorten e tij dhe gjashtë biznesmenë.

Pas një seance 2-orëshe mesditën e së martës, Gjykata e Lartë rrëzoi shpresat e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj për lirimin nga qelia dhe vendosi që të lërë në fuqi masën e tij të arrestit me burg.

Vendimi u mor nga trupa e Kolegjit Penal me relatore gjyqtaren Albana Boksi, pasi dëgjoi argumentet, pjesë e ankimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe 6 biznesmenëve kundër masave të sigurisë të vendosura nga Gjykata e Posaçme e Apelit më 13 mars.

Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohen nga SPAK se ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.

Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa.

Përveç Veliajt dhe bashkëshortes së tij, GJKKO ka vendosur masa më të buta sigurie ndaj biznesmenit Elman Abule dhe pesë biznesmenëve të tjerë – mes tyre Gentian Sula, Shkëlqim Fusha dhe Fatmir Bektashi, kompanitë e të cilëve janë përfituese të mëdha të fondeve të bashkisë ose lejeve të ndërtimit në Tiranë.

Veliaj dhe Xoxa i kanë mohuar akuzat, duke e përshkruar procesin si ‘kafkian’.

Erion Veliaj u arrestua nga SPAK më 10 shkurt dhe masa e sigurisë ndaj tij është konfirmuar nga Gjykata e Posaçme të shkallës së parë dhe ajo e Apelit. Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, masa e arrestit ndaj Veliajt është vendosur për shkak se ai dyshohet se, së bashku me bashkëshorten, kanë tentuar të ‘helmojnë’ dhe prishin provat e çështjes, duke kërcënuar dëshmitarët dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Nën hetim për përpjekjen e ‘helmimit të provave’ është edhe Klotilda Bushka, deputete e Partisë Socialiste dhe njëherazi kryetare e Komisionit të Ligjeve në Kuvend. Bushka gjithashtu ka mohuar të ketë bërë veprime të paligjshme dhe ka akuzuar SPAK për prishje të reputacionit.

Nga qelia, nëpërmjet rrjeteve sociale dhe mediave që e mbështesin, kryebashkiaku ka ndërmarrë një fushatë linçimi publik ndaj prokurorit të çështjes dhe gjyqtarëve që kanë vlerësuar masën e sigurisë. Ai ka angazhuar gjithashtu në mbrojtje të kushtueshme përmes dy studiove ligjore ndërkombëtare – në Nju Jork dhe Londër, si dhe një kompani ‘PR’ britanike.

Kryebashkiaku i Tiranës është politikani më i lartë në detyrë i arrestuar nga SPAK dhe çështja kundër tij shihet nga komuniteti ndërkombëtar si një test për pjekurinë e reformës në drejtësi, por edhe të angazhimit të qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit.

Edhe pse ndodhet prej tre muajsh në burg, Veliaj vazhdon të mbajë formalisht funksionin e kryebashkiakut, të cilin ia ka deleguar nënkryetares së bashkisë, Anuela Ristani.

(Reporter.al)