Gjykata e pranon kërkesën e Alda Klosit për gjykim të shkurtuar

Tiranë, 4 mars 2024 – Gjykata e Tiranës pranoi të hënën më 4 mars kërkesën e Alda Klosit, ish-shefes së kabinetit të ish-ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj, për zhvillimin me gjykim të shkurtuar të procesit penal ndaj saj, për fshehje pasurie. Pas këtij vendimi të ndërmjetëm, gjykata ka ftuar prokurorinë për të paraqitur konkluzionet përfundimtare në seancën e radhës që do të zhvillohet me datë 19 mars.

Klosi u dërgua për gjykim në tetor të vitit të kaluar për veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Ndërkohë ajo po hetohet veçmas në drejtim të ligjshmërisë së burimeve të krijimit të pasurive që ajo dhe familjarët e saj zotërojnë.

Arrestimi i ish-zyrtares së lartë erdhi pas hetimit të kallëzimit të saj të kryer në polici për vjedhjen e qindra mijëra eurove në banesë. Pas njoftimit të vjedhjes së banesës së Klosit në rrugën e Kosovarëve në Tiranë në dhjetorin e kaluar, policia arrestoi Rozeta Dobin dhe Havier Dobin, nënë e bir, nën akuzën e vjedhjes pasi në shtëpinë e tyre u gjet një shumë e konsiderueshme parash ndërsa Havierit iu sekuestruan disa makina.

Klosi deklaroi në polici më vonë se në banesë kishte pasur 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë krahas bizhuterive, në çastin e vjedhjes.

Policia mbajti nën përgjim në komisariat Rozeta Dobin, e cila punonte si pastruese dhe Havierin, ndërsa këta diskutuan për një shumë tjetër parash të fshehur në tubin e ventilatorit të kuzhinës. Policia nuk kishte gjetur këtë shumë në kontrollin e parë por kur rivizitoi banesën, gjeti 404 mijë euro dhe 8500 dollarë. Në total policia gjeti 462,950 euro; 15,500 dollarë amerikanë dhe 368 mijë lekë në shtëpinë e Klosit.

Së bashku me Klosin, për gjykim janë dërguar edhe Rozeta dhe Havier Dobi, për veprën penale “vjedhja” me pasoja të rënda, në bashkëpunim – të cilët dhe këta do të gjykohen me gjykim të shkurtuar.

(Reporter.al)