Tiranë, 7 prill 2026 – Gjykata e Posaçme e rrëzoi të martën kërkesën e Jamarbër Malltezit për lirimin e pasurive të tij nga masa e sekuestrimit.
Gjykata vendosi të martën edhe për mospranimin e rekursit të Argita Malltezit dhe Jamarbër Malltezit, kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit lidhur me pasuritë e sekuestruara, raporton Reporter.
Në seancën e mbajtur më 2 prill, prokurorja Enkeleda Millonai këmbënguli që masa e sekuestrimit të mbetej në fuqi, ndërsa Malltezi dhe mbrojtësit e tij thanë se tejzgjatja e sekuestrimit të pasurive sjell impakt në situatën financiare dhe familjare.
Pasuritë e Malltezit janë sekuestruar pas një procesi penal për akuzën e korrupsionit lidhur me çështjen e privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”.
Malltezi e kundërshton akuzën si të ngritur mbi fakte të rreme.
Malltezi dhe vjehrri i tij, ish-kryeministri Sali Berisha akuzohen nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion pasiv. Sipas prokurorisë, Jamarbër Malltezi ka përfituar të ardhura mbi 5 milionë euro nga një biznes ndërtimi, falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Në të njëjtën çështje, SPAK akuzon për korrupsion aktiv biznesmenin e ndërtimit, Fatmir Bektashi, ndërsa Xhimi Begeja dhe Andia Pustina akuzohen për pastrim parash. Si të pandehur në këtë çështje për akuzën e pastrimit të parave janë edhe shoqëritë Studio Pustina sh.p.k., Homeplan sh.p.k. dhe Kontakt sh.p.k.
Me kërkesë të SPAK janë sekuestruar 25 pasuri, mes të cilave shumat monetare në disa llogari bankare, apartamente, njësi, bodrume, si dhe kuotat që zotëron në disa shoqëri.
(r.m.)