Prishtinë, 18 korrik 2025 – Gjykata Themelore në Prishtinë njoftoi se policit të dyshuar për spiunazh, Bojan Jevtiq, i është caktuar një muaj paraburgim.
“Gjykata vlerësoi se nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të ndikojë në prova dhe në dëshmitarë si dhe mund të përsërisë veprën e njëjtë penale, ose mund të kryejë sërish vepra tjera penale në rrethana të njëjta ose më të rënda”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Jevtiq, i cili ishte shef i operativës në policinë kufitare të Kosovës në pikëkalimin kufitar “Dheu i Bardhë”, u arrestua të enjten në komunën e Kamenicës.
Prokurori i rastit, Bekim Kodraliu ka thënë në shtëpinë e Jevtiqit dhe në objekte të tjera janë gjetur e sekuestruar prova materiale dhe personale që vërtetojnë se i dyshuari është duke u marrë me aktivitet të kundërligjshëm.
Prokuroria njoftoi të enjten se në shtëpinë dhe në objekte të tjera të Jevtiqit janë sekuestruar: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, usb, një armë e shkurtër pa autorizin, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 euro, 2 milionë dinarë serbë [17.072 euro], 600 franga zvicerane dhe prova tjera të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore.
Avokati i Jevtiqit, Milosh Nikoliq, ka thënë se në gjykatë ka kërkuar mbrojtje në liri për klientin e tij, duke ofruar edhe garanci financiare.
“Bojan Jevtiq është pjesëtar i Policisë së Kosovës, është në shërbim që nga viti 2002. Sot i kemi paraqitur argumentet në favor të tij sa i përket kërkesës për caktimin e paraburgimit. Kjo ka të bëjë me faktin se ai do të jetë i qasshëm për organet deri në përfundim të procedurës, dhe se do t’i përgjigjet çdo thirrjeje. Dhe në këtë qëllim kemi ofruar masën e garancisë në shumën prej 15.000 eurosh. Pra, ai do të bashkëpunojë me organet. Vendimi për paraburgimin ende nuk është marrë. Do të merret për dy orë, për çka do t’ju njoftojmë”, ka thënë Nikoliq pas seancës së gjykatës.
Lubisha Jevtiq, vëllai i policit të ndaluar, ka thënë se Bojani është ndaluar pa asnjë bazë ligjore.
“Është njeri i ndershëm dhe e ka kryer punën e tij me përkushtim. Është baba i tre fëmijëve të mitur, të cilët i ka mbajtur me atë pagë. Ka punuar në Policinë e Kosovës 23 vjet pa asnjë njollë në karrierën e tij, pa asnjë shkelje. Besoj se ndaj tij nuk do të zhvillohet fare procedurë dhe se do të lirohet”, ka thënë ai.
Bojan Jevtiq është i arrestuari i gjashtë për spiunazh në Kosovë.
Në qershor, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me pesë vjet burgim Aleksandar Vllajiqin, i cili u deklarua fajtor për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA).
Aktualisht, në Gjykatën Themelore në Prishtinë po gjykohen Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, të cilët akuzohen se kishin dhënë informacione tek BIA serbe për disa institucione të sigurisë në Kosovë, për UÇK-në dhe për masakrën e Reçakut.
(r.m.)