Gjykata Kushtetuese e Kosovës rrëzon disa nene të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik

Prishtinë, 26 dhjetor 2023 – Gjykata Kushtetuese ka dhënë një Aktgjykim të rëndësishëm në lidhje me Ligjin e diskutueshëm për Pagat në Sektorin Publik.

Kjo gjykatë ka dalë me një vendim që pjesërisht rrëzon disa prej neneve të Ligjit që u miratua nga Kuvendi i Kosovës dhe ishte i hartuar nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.

Pas një sërë ankesash – 104 në numër – të pranuara nga Avokati i Popullit nga sektorë të ndryshëm nga sektori publik, gjykata ka reaguar.

Në përgjigjen e saj, Gjykata Kushtetuese ka bërë të qartë se Aktgjykimi nuk do të ndikojë në zyrtarët të cilëve u janë ngritur pagat përpara këtij vendimi.

Megjithatë, Gjykata ka gjetur se uljet e pagave për disa kategori funksionesh janë kundërkushtetuese, dhe si të tilla, janë të paligjshme. Ajo u ka bërë thirrje deputetëve në Kuvend që të ndërmarrin ndryshime në ligj brenda gjashtë muajve, për të siguruar se nuk ekzistojnë elemente anti-kushtetuese në të.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese (faqja e parë):

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, ka vendosur lidhur me kërkesën në rastin KO 79/23, të parashtruar nga Avokati i Popullit, bazuar në përcaktimet e nënparagrafit (1) të paragrafit 2 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr.08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik.

Gjykata, njëzëri, ka vendosur që të deklarojë kërkesën e pranueshme dhe të konstatojë, njëzëri, që:

(i) paragrafi 2 i nenit 2 (Fushëveprimi) dhe paragrafi 2 i nenit 45 (Shfuqizimi) në ndërlidhje me paragrafin 2 të nenit 24 (Shtesa për kushte të tregut të punës), paragrafin 5 të nenit 25 (Shtesa e performancës), paragrafin 4 të nenit 28 (Shtesa për vëllimin e punës) dhe paragrafët 2 dhe 3 të nenit 42 (Përcaktimi i ekuivalencës) të Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës;

(ii) paragrafi 6 i nenit 6 (Paga bazë) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojta e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e pronës) të Protokollit nr.1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;

(iii) paragrafi 2 i nenit 41 (Shtesa tranzitore) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr.1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës;

(iv) paragrafi 3 i nenit 41 (Shtesa tranzitore) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr.1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (v) paragrafi 4 i nenit 41 (Shtesa tranzitore) të Ligjit të kontestuar, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 1 (Ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit) të Protokollit nr.12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;

(vi) paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 41 (Shtesa tranzitore) dhe paragrafi 2 i nenit 45 (Shfuqizimi) të Ligjit të kontestuar, shpallen të pavlefshëm me hyrjen në fuqi të Aktgjykimit;

(vii) në pajtim me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, të urdhërojë Kuvendin e Republikës së Kosovës, që brenda gjashtë (6) muajsh nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit, të ndërmarrë veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) dhe paragrafit 6 të nenit 6 (Paga bazë) të Ligjit të kontestuar, në pajtim me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim;

(viii) deri në plotësimin dhe ndryshimin e paragrafit 2 të nenit 2 (Fushëveprimi) të Ligjit të kontestuar, paragrafi 3 i nenit 2 (Fushëveprimi), paragrafi 2 i nenit 22 (Shtesat), paragrafi 5 i nenit 24 (Shtesa për kushte të tregut të punës), paragrafi 8 i nenit 25 (Shtesa e performancës), paragrafi 7 i nenit 28 (Shtesa për vëllimin e punës) dhe paragrafi 4 i nenit 42 (Përcaktimi i ekuivalencës), zbatohen në përputhje me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim; dhe

(ix) ky Aktgjykim hyn në fuqi më 1 shkurt 2024.

(Telegrafi)