Prishtinë, 8 shtator 2025 – Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shprehur shqetësimin për deklaratat e zyrtarëve të lartë të shtetit dhe të zgjedhurve politikë lidhur me vendimarrijen e saj për procesin e konstituimit të Kuvenditt ë Kosovës.
Në një reagim publik të saj, kjo gjykatë i cilëson si “të pamatura” dhe si “përpjekje për të ushtruar presion mbi gjyqtarët kushtetues“ deklaratat lidhur me vendimet e fundit të saj.
“Pavarësia dhe paanshmëria e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës janë të mbrojtura me Kushtetutë, dhe asnjë institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj. Çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi gjyqtarët kushtetues përbën cenim të parimit themelor të ndarjes së pushteteve dhe minon besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe në vetë demokracinë”, thuhet në reagim.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohen ekskluzivisht në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në praktikën e saj gjyqësore, si dhe në standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Rrjedhimisht, çdo deklaratë që tenton të relativizojë apo paragjykojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese është jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe e dëmshme për zhvillimin demokratik të vendit”, thuhet më tutje në reagim.
Gjykata Kushtetuese u bën thirrje të gjitha palëve që “të respektojnë pavarësinë e saj, të përmbahen nga deklaratat që cenojnë integritetin e gjyqtarëve dhe vendimmarrjen e tyre të pavarur, dhe të kontribuojnë në forcimin e rendit kushtetues”.
“Vetëm përmes respektimit të këtij parimi themelor mund të garantohet një shoqëri e drejtë, demokratike dhe funksionale për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thekson Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Më 5 shtator, kjo gjykatë vendosi masë të përkohshme që ua ndaloi deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprimi derisa të bëhet vlerësimi i pretendimeve të Listës Serbe se votimi veçmas për kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit përbën shkelje kushtetuese. Me këtë masë, pezullohet edhe procesi për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Kjo masë do të jetë në fuqi deri më 30 shtator.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i kritikuan ashpër gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e kësaj mase.
Kursti e e ka cilësuar “shumë absurde” dhe “shumë të dëmshme” vendosjen e masës së përkohshme nga Gjykata Kushtetuese.
“Të vetmen dilemë që e kam në këtë situatë është nëse është më shumë absurde apo më shumë e dëmshme kjo masë 25-ditore, por që është edhe shumë absurde, edhe shumë e dëmshme, nuk kam dyshime”, ka thënë ai.
Konjufca është shprehur me gjuhë edhe më të ashpër për Gjykatën. Ai e ka cilësuar si “tradhti shtetërore” një vendim eventual të Kushtetueses që do t’i jepte të drejtë Listës Serbe ta mbajë peng procesin e konstituimit të Kuvendit dhe, rrjedhimisht, formimit të Qeverisë së re të Kosovës.
“Gjykata nuk ka çka të interpretojë përtej Kushtetutës. Ky është akti më i lartë i Republikës. Ose do të çelet rruga që Kuvendi të vazhdojë ose do të shkojmë në zgjedhje të reja. Por, skenari i tretë, të cilin as që mund ta imagjinoj, është ai më i keqi i mundshëm, një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore do të thosha unë, një skenar i cili ia jep Listës Serbe dhe Beogradit të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës”, ka thënë Konjufca.
Reagimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e saj përkitazi me deklarimet e pamatura të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve politikë.
Pavarësia e Gjykatës Kushtetuese nuk është privilegj i gjyqtarëve të saj, por është themel i shtetit të së drejtës.
Pavarësia dhe paanshmëria e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës janë të mbrojtura me Kushtetutë, dhe asnjë institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj. Çdo përpjekje për të ushtruar presion mbi gjyqtarët kushtetues përbën cenim të parimit themelor të ndarjes së pushteteve dhe minon besimin e qytetarëve në sundimin e ligjit dhe në vetë demokracinë.
Vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohen ekskluzivisht në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në praktikën e saj gjyqësore, si dhe në standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Rrjedhimisht, çdo deklaratë që tenton të relativizojë apo paragjykojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese është jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe e dëmshme për zhvillimin demokratik të vendit.
Gjykata apelon tek të gjitha palët që të respektojnë pavarësinë e saj, të përmbahen nga deklaratat që cenojnë integritetin e gjyqtarëve dhe vendimmarrjen e tyre të pavarur, dhe të kontribuojnë në forcimin e rendit kushtetues.
Vetëm përmes respektimit të këtij parimi themelor mund të garantohet një shoqëri e drejtë, demokratike dhe funksionale për të gjithë qytetarët e Kosovës.
(r.m.)