Kushtetuesja e pezullon dekretin e Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit

Prishtinë, 9 mars 2026 – Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme ndaj dekretit të Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Ky vendim është marrë pas ankesës së dërguar kryeministri Albin Kurti, në emër të Qeverisë së Kosovës.

Sipas masës së përkohshme, e cila hyri në fuqi sot, më 9 mars, ndalohet çdo veprim i Presidentes së Kosovës në lidhje me Dekretin e 6 marsit 2026  dhe çdo veprim i Kuvendit të Kosovës deri më 31 mars 2026.

“Gjykata thekson se vendosja e masës së përkohshme ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës përmes të cilës ndalohet ndërmarrja e çdo veprimi nga Presidentja lidhur me Dekretin [nr. 24/2026] të 6 marsit 2026 si dhe ndalimit të çdo veprimi të Kuvendit deri në vendosjen e rastit nga Gjykata Kushtetuese është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në vendim thuhet gjithashtu se ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi të mëtejmë të institucioneve është në interes publik dhe i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe interesin më të mirë të Republikës së Kosovës.

“Rrjedhimisht, Gjykata, pa paragjykuar meritat e kërkesës KO72/26, konstaton se duhet të vendoset masa e përkohshme ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesit të kërkesës në përputhje me arsyetimin e këtij Vendimi”, thuhet në  vendim.

Në vendim thuhet gjithashtu se gjyqtari Radomir Laban ka kërkuar përjashtimin e tij nga vendimmarrja lidhur me kërkesën e kryeministrit Kurti, por gjykata e ka refuzuar njëzëri kërkesën e këtij gjyqtari.

Më 5 mars 2026, Kuvendi i Republikës së Kosovës, bazuar në kërkesën e 42 deputetëve të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, mbajti seancë të jashtëzakonshme me pikë të vetme të rendit të ditës “Zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”.  Në këtë seancë, Lëvizja Vetëvendosje bashkë me partnerët e saj në qeveri,  propozuan dy kandidatë për President: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mullhaxha – Kollçakun. Por, kandidaturat e tyre nuk u hodhën në votim, për shkak të mungesës së kuorimit. Në atë moment, në sallë gjendeshin vetëm 66 deputetët e koalicionit qeverisës, ndërsa deputetët e subjekteve në opozitë e braktisën seancë,

Sipas Kushtetutës së Kosovës, në votimet për president duhet të marrin pjesë së paku dy të tretat e përbërjes së Kuvendit ose 80 deputetë. Mungesa e deputetëve të opozitës e pamundësoi votimin për president.

(Vendimi i Gjykatës Kushtetuese)

(r.m.)