Gjykata Kushtetuese e pezullon dekretin e Presidentit Begaj për zgjedhjet në Tiranë

Tiranë, 9 tetor 2025 – Gjykata Kushtetuese vendosi të enjten që të pezullojë dekretin e Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë, pasi ky dekret u ankimua nga avokatët e kryebashiakut , Erion Veliaj, të shkarkuar me vendim qeverie, i cili ndodhet në burg me akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Gjykata Kushtetuese njoftoi gjithashtu se trupi gjykues vendosi njëzëri që të kalojë çështjen me kërkues Veliajn në seancë plenare publike në datë 31 Tetor 2025, duke u referuar ankesës së tij për shkarkim të padrejtë nga Këshilli i Ministrave.

Begaj i dekretoi zgjedhjet në Tiranë më datë 9 nëntor bashkë me 5 bashki të tjera, ku vakancat u shkaktuan nga dorëheqjet e kryebashkiakëve socialistë.

Veliaj e kishte ankimuar vendimin e qeverisë duke u bazuar në një nen të Kushtetutës që parashikonte qartë se vendimi i shkarkimit pezullohej në momentin e ankimimit, por kjo nuk e ndaloi Presidentin e Republikës Bajram Begaj që të dekretonte datën e zgjedhjeve.

Presidenca shpërndau një sqarim publik, ku këshilltarët ligjore të kreut të shtetit marrin përsipër të interpretojnë shkarkimin e kryebashkiakut he me anë të një kapërcimi juridik sugjerojnë se ankesa e tij duhej të ishte drejtuar në Gjykatën Administrative dhe jo në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas Kushtetutës dhe ligjit për “Vetëqeverisjen Vendore”, një kryetar bashkie i zgjedhur mund të shkarkohet nga Këshilli i Ministrave për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe ligjeve, kur dënohet me vendim të formës së prerë ose kur nuk paraqitet në detyrë për një periudhë 3-mujore.

Partia Demokratike e akuzoi presidentin Begaj se kishte bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe se kishte rrënuar autoritetin e Gjykatës Kushtetuese dhe ndërmorën dhe iniciativën për të kërkuar shkarkimin e tij nga detyra.

Veliaj u arrestua më 10 shkurt, pasi Prokuroria e Posaçme deklaroi se kishte zbuluar një skemë korrupsioni ku bashkia e drejtuar prej tij dhe biznesmenë që fitonin tendera në bashki ushqenin me para një rrjet kompanish dhe organizatash jo-fitimprurëse të drejtuara nga bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa.

Shkarkimi i Veliajt, që shihej deri pak muaj më parë si një figurë qendrore e Partisë Socialiste dhe pasardhës i Edi Ramës, u inicua pikërisht nga Rama që udhëzoi këshilltarët socialistë të bashkisë që të nisnin procedurën e shkarkimit, që u finanalizua më pas me vendimin e qeverisë.

(Reporter)