Tiranë, 12 dhjetor 2025 – Zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, do të rikthehet në zyrën e saj të punës, pasi Gjykata Kushtetuese pranoi të premten kërkesën e kryeministrit Edi Rama, duke ngrirë efektet e vendimit të Gjykatës së Posaçme për pezullimin e saj nga detyra pasi u mor e pandehur e Prokuroria e Posaçme, SPAK, për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera.
Gjykata Kushtetuese njoftoi të premten se me shumicë votash 5 me 3, Mbledhja e Gjyqtarëve kishte vendosur për “pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku…”.
Po ashtu, gjyqtarët e Kushtetueses vendosën të kalojnë për shqyrtim në seancë plenare pikat e tjera të kërkesës së Ramës për zgjidhje të kompetencave mes Gjykatës së Posaçme dhe Kryeministrit e Këshillit të Ministrave.
Kushtetuesja e cilëson çështjen me interes të lartë publik dhe njofton se shqyrtimi në themel do të bëhet në seancë plenare publike më 22 janar, ku do të thërriten si palë të interesuara Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme, Kuvendi dhe Presidenti i Republikës.
Balluku u pezullua nga detyra më 20 nëntor me vendim të gjyqtarit Erjon Çela të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, pasi akuzohet për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera në projektin e Tunelit të Llogarasë dhe njërit prej loteve të Unazës së Madhe. Po ashtu, Ballukut iu ndalua e drejta për të udhëtuar jashtë shtetit.
Kryeministri Edi Rama e kundërshtoi vendimin publikisht edhe ligjërisht, duke i kërkuar Gjykatës Kushtetuese pezullimin e efekteve të vendimit deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese dhe interpretimin e nenit kushtetues që parashikon se “anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale që i njeh jo vetëm Kushtetuta, por edhe legjislacioni procedural penal”.
Rama kërkon gjithashtu që Kushtetuesja të shprehet për shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit e Këshillit të Ministrave nga njëra anë dhe Gjykatës së Posaçme në anën tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së Ballukut.
Që nga pezullimi i Ballukut, Rama ka ndërmarrë një fushatë publike për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës së Posaçme, duke u ankuar se pezullimi i Ballukut ishte absurd dhe uzurponte kompetencat e tij si kryetar i Këshillit të Ministrave. Në asnjë rast, Rama nuk ka komentuar apo dhënë shpjegime për akuzat e ngritura rreth ndërhyrjeve në mënyrë të paligjshme në dy tendera me vlerë 210 milionë euro.
Zëvendëskryeministrja Balluku akuzohet se ka paracaktuar fituesit e dy tenderave, së bashku me vartësit e saj më të ngushtë, Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi.
Qëndrimet publike të Ramës sollën dhe reagimin e Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, që konstatoi se nën petkun e ankesave të kryeministrit për uzurpimin e pushtetit ekzekutiv e atij legjislativ prej gjyqësorit, në fakt fshihet një mesazh presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatave të Posaçme që kanë në shqyrtim çështjen në fjalë.